Politike

Berisha: PD nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet. Betejën do e zhvillojmë kudo

Nga Gazeta ‘Si’– Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike nuk do të njohë kurrë zgjedhjet e 11 majit, duke i cilësuar ato si një “mega krim elektoral”.

Në një konferencë me gazetarët, Berisha u shpreh se po afron momenti kur PD do të marrë vendimet përkatëse mbi hapat e ardhshëm, por një gjë është e qartë, theksoi ai, “rezultati i zgjedhjeve nuk do të pranohet nga opozita”.

Ai theksoi se çdo qytetar apo opozitar që pranon rezultatin e këtyre zgjedhjeve, sipas tij, bëhet bashkëfajtor në një farsë që cenon themelet e demokracisë.

Po ashtu, Sali Berisha tha se aksionin opozita do ta zhvillojë kudo, edhe në parlament.

Sipas tij, Partia Socialiste ka shndërruar administratën publike në një rrjet elektoral të strukturuar, “ku nëpunësit civilë përdoren si instrumente presioni ndaj qytetarëve.”

“Sistemi i patronazhimit, i denoncuar në mënyrë të hapur, të përsëritur nga vëzhguesit ndërkombëtare, vjen në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve.

Vjen në kundërshtim me kodin elektoral dhe ligjet e tjera të vendit. Vjen në kundërshtim flagrant me Kartën e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, direktivat e KiE, Kodin e Venecias.

Sistemi i patronazhimit nënkupton përdorimin nga partia shtet të të gjitha resurseve njerëzore që me ligj dhe Kushtetutë që duhet të jenë neutrale në zgjedhje, pra shndërrimin e institucioneve shtetërore në institucione elektorale dhe punonjësve të këtyre institucioneve në operatorë elektoralë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë