Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu kthye ligjit për barazinë gjinore.
Ai hoqi një paralele me vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA e cila i dha të drejtë Trumpit dhe sanksionoi vetëm dy gjini.
“Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA përjashtoi njohjen e çdo gjinie tjetër, në Parlamentin e dhunës, të votës së vjedhur, votohet ligji në të cilin gjinia zëvendësohet me përkatësinë e shumëfishtë gjinore. Zëvendësohet me identitetin gjinor me diversitet të gjerë”, tha Berisha duke iu referuar votimit të ligjit mbrëmë pak para mesnate në Parlament.
Ai theksoi se PD do të bëjë gjithçka për anulimin e këtij ligji dhe shtoi se do rikonsiderojë edhe referendumin. Sipas tij, ky ligj rrëzon të paktën 4 nene të Kushtetutës.
“Rrëzon Kodin e Familjes. Rrëzon Kodin Civil. Kodet, pra, të cilat përbëjnë bazën juridike të shtetit. Kjo përpjekje do bëhet në bashkëpunim të ngushtë me çdo shqiptar që e ka familjen sa hyjnore, aq edhe tokësore.
Me çdo besimtar që i konsideron librat e shenjtë të besimit të tij fetar si kodin moral të familjes së tij. Me çdo prind që në përputhje me Kushtetutën e vendit, do që fëmija e tij të marrë edukimin fetar të familjes së tij. Në përputhje me gjininë, me të cilën ka lindur.
Pra, të gjitha këto kërkojnë një përgjigje të fuqishme nga qytetarët dhe ne nisim këtë betejë me bindjen më të thellë se pavarësisht nga mbështetja e këtij narkoshteti, ky narkoshtet nuk ka legjitimitet. Ne e bëjmë këtë betejë jo vetëm për fëmijët tanë dhe veten tonë, por e bëjmë edhe për miqtë tanë dhe partnerët tanë”, shtoi kreu demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



