Gazeta Si – Kreu i PD, Sali Berisha u paraqit për pak minuta mëngjesin e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Ashtu siç ishte parashikuar dhe njoftuar nga strukturat, Berisha u prit në hyrje të SPAK, nga militantët e PD-së dhe disa prej deputetëve. Para mbërritjes së tij, policia kishte vendosur shirita sigurie rreth godinës pas përplasjes me krerët e institucionit të drejtësisë javën e shkuar.
Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, ku ka firmosur në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, kryedemokrati ka zbuluar se i ka lënë një shënim kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit.
Në një deklaratë për mediat, kreu i demokratëve, Berisha e quan Altin Dumanin “kreun e organizatës kriminale që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitë.
“Pasi u paraqita, i lashë Altin Lalës, letrën që vijon: Kreut të kësaj organizate kriminale, Altin Dumani që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitë të monstrës George Soros dhe kukullës së tij në Tiranë, Edi Rama. Kjo politikë dështoi në SHBA dhe të njëjtin fat do të ketë në Shqipëri. Firmosur Sali Berisha. Kjo është kopja”.
Më pas, në një deklaratë për mediat, Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës.
“Kanë vjedhur paratë e taksapaguesve të SHBA dhe BE. Tani unë i them Edi Ramës jep dorëheqjen për të gjitha paratë që u keni vjedhur. Paratë e taksapaguesve amerikanë që keni vjedhur ju nuk do i paguajnë taksapaguesit shqiptarë, por do i paguani ju me pasuritë e vjedhura. Prandaj të ktheni urgjent paratë se atje po bëhet një audit dhe ju dilni më të nxirë, vendi më i lakmuar për vjedhje përmes Sorosit dhe USAID është Shqipëria, Edi Rama, Erion Veliaj dhe klani i tyre.Kështu që Edi Rama ktheji mbrapsht paratë e vjedhura USAID-it dhe BE. Ju nuk e dini që këto që ju keni dëgjuar janë vetëm maja e ajsbergut me ato që kanë vjedhur me paratë e taksapaguesve europianë. Dhe në mënyrë absolute do i bëjmë publike… E dini ju që ato të IPARD-it kanë historinë e tyre. Dhe nuk është vetëm IPARD-i. Kështu që kemi të bëjmë me një bandë hajdutësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë të pashembullt dhe këta do ndëshkohen”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati e cilëson vendosjen e masës ndaj tij një akt të turpshëm politik në të cilin ai thotë se “Prokuroria në kundërshtim me Kushtetutën kërkon t’i ndalojë fjalën e lirë”, ndërsa gjykatësin e krahason me një kukull të partisë që vendos sipas kërkesave të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



