Gazeta Si – Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi para SPAK, se nëse fiton zgjedhjet në 11 maj, institucioni i Prokurorisë së Posaçme do shkrihet, ndërsa prokurorët e lidhur me bandat do futen në burg.
Sipas Berishës, SPAK ia tejkalon edhe drejtësisë së Enver Hoxhës dhe Hitlerit. Teksa e ka quajtur “institucion që është jashtë çdo kontrolli”, Berisha ka thënë se SPAK duhet të shuhet me çdo kusht.
“Të njëjtin fat me bandat do kenë prokurorët e lidhur me bandat. Ky institucione nuk do ekzistojë. Një institucion jashtë çdo kontrolli duhet shuar me çdo kusht. Ky institucion s’mund të kontrollonte kurrë gjykatësit, – paralajmëroi Berisha. – Kur kontrollohen telefonat e gjykatësve specialë, ke krijuar drejtësi që as Hitleri dhe Enveri nuk e kishin. Merr fund që këtu. Ju njerëz të mediave duhet të denonconi më fuqishëm. Afërmendsh tha Gjykata vendos atë që i themi ne. Kurrë s’mund të mbahet ky. Mbështetja kryesore ndaj kësaj organizate kriminale. Atje ku iniciua, atje ka rënë përtokë. Blinken takoi Dumanin për ta falënderuar se kishte arrestuar Berishën. Tani Blinken nuk hyn dot më në ndërtesat e qeverisë së tij”, – tha Berisha.
Kreu i PD, më pas ka akuzuar 6 prokurorë të SPAK-ut që sipas tij kanë lidhje me Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Ballën.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha akuzoi Ballën se sipas tij, ai është personi më me pushtet që del më shumë se të tjerët në veprimtari kriminale me bandat pas kryeministrit Edi Rama.
“Në këtë Prokurori janë 6 prokurorë që kanë ardhur nga bandat e Taulant Ballës, famozi Shehaj që për mashtrim duhet të ishte në burg. Po ashtu edhe Enkelejda Fetahu. Në dijeninë time pas Ramës, Balla është personi me pushtet që del më shumë se të tjerët në veprimtari kriminale me bandat. Del në lirimin e 2 vrasësve dhe ata janë të lirë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




