Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha ka paralajmëruar protesta me nisjen e sesionit të ri Parlamentar në shtator.
Kreu i PD u shpreh se protestat janë të vonuara, duke theksuar se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ai deklaroi se shqiptarët duhet të përballen me atë që e quajti narkoshtet, sipas tij, për të fituar votën e lirë.
“Protestat janë të vonuara. Janë të vonuara. Shqiptarët kanë vetëm një rrugë, kanë rrugën e protestës dhe përballjes me narkoshtetin për të rifituar votën e lirë. Do i nisim pa diskutim. Pa asnjë diskutim. Nuk ka asnjë rrugë tjetër”, deklaroi Berisha.
Duke sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, Berisha e akuzoi se po përpiqet të tërheqë vëmendjen me çështje dytësore.
“Urdhëroni cilat ishin zgjedhjet e Edi Ramës dhe ai del si skizoid poshtë e përpjetë për të tërhequr vëmendjen nga këto, merret me drejtorët e bashkisë. Ramaduro nuk shpëton kësaj here. Ramaduro është kapur në çark dhe nuk ka forcë në botë që ta shpëtojë”, u shpreh ai.
Berisha shtoi se opozita po paraqet sipas tij prova konkrete për manipulimin e zgjedhjeve të 5 majit, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e votave jashtë afatit ligjor.
“Prisni, dje e patë, paraqita qindra vota pa asnjë firmë. Nuk kishin firmë fare. Këto ishin me pseudofirma. Por nuk është firma problem këtu, problemi është se janë marrë me datën 13, 14, 15 dhe janë dorëzuar me datën 9 dhe 10 që të mos votojnë. Janë nxjerrë jashtë afatit ligjor të votimit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




