Politike

Berisha: Ose largohet Rama, ose është fundi i opozitës!

Nga Gazeta ‘Si’- Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha mbajti një fjalim të gjatë, ku paralajmëroi zhvillimin e protestave që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal në disa çështje, mes të cilave hetimet për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, që prej muajit shkurt të vitit 2025.

Berisha tha se sipas tij po të mos kishte qenë për protestat e Partisë Demokratike për javë me radhë poshtë bashkisë, Veliaj sot do të ishte ende në zyrë dhe i pa hetuar.

“U garantoj unë ju se po të mos jenë ato protesta udhëhequra nga Belind Këlliçi, 46 javë në çdo lloj moti, Erion Veliaj do ishte në zyrë sot. Dhe ne, të jemi realistë, të gjithë e dinim se Erion Veliaj nuk ishte Edi Rama, ama në ligësira, në qoftë se kishte vëlla siamez me Edi Ramën dhe të papërsëritshëm, ishte Erion Veliaj.

Kështu që ai mund dhe ajo djersë, ai guxim dhe ajo sakrificë, ka qenë, në vlerësimin tim, ndër më eficentet dhe më të rëndësishmet që ka bërë PD. Ai përbënte një rrezik madhor për vendin me karakterin e tij, në çdo aspekt. Me të ne shpëtuam vendin nga njëra gjysmë e zezë e Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha tha se tani e ka radhën kryeministri Edi Rama të hetohet nga prokurorët. Madje shtoi se ose ai largohet nga pushteti, o është fundi i opozitës.

“O ai largohet, ose është fundi i opozitës. Të jem shumë i sinqertë. Kam besim të guximi, tek trimëria dhe vendosmëria e demokratëve, e opozitarëve. Tani e kanë lakuriq narkosin, s’ka më iluzione.”, tha Berisha, duke paralajmëruar se do të zhvillohen protesta nga opozita që kërkojnë largimin e Ramës nga detyra.

Më tej, Berisha nisi të fliste për zgjedhjet e 11 Majit, raportin e OSBE-ODIR dhe progres-raportin e publikuar një ditë më parë nga Komisioni Europian për Shqipërinë.

Sipas kreut të PD-së, raporti për zgjedhjet ka prekur problematikën kryesore të zgjedhjeve, tek barazia.

“Pra si Shën Thomai, e ka vënë gishtin aty ku prova është absolute. Tek barazia e lojës. Thotë se u keqpërdorën burimet publike, pra thotë se shteti dhe partia u sollën një me këtë nënkuptim dhe se nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias. Pra nuk ka shkëlqim.”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë