Politike

Berisha: Nuk pranojmë mbledhjen me dyer të mbyllura për Ballukun

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se kërkon largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga Qeveria dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja.

Berisha komentoi edhe mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve që po mbahet për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Sipas Berishës, prokurorët kanë kërkuar që provat të mos i dorëzohen vetë Ballukut, por kjo nuk do të thotë, sipas tij, që ato të mos u vihen në dispozicion deputetëve.

Ai theksoi se opozita nuk do të pranojë zhvillimin e seancave të mbyllura për çështje që lidhen me akuza për korrupsion dhe vjedhje.

“Që ta ketë të qartë çdo shqiptar. Gjer sot ajo dosje ka vetëm një sekret, dhe ai sekret nuk mund të bëhet publik. Në interesin e procesit, asnjë sekret tjetër, asnjë dokument tjetër, asnjë material tjetër, nuk është sekret, as dhe videot e tyre nuk janë sekret.
Pra, asnjë nuk është sekret.

Ka një element dhe parlamentarët e opozitës në interesin më të mirë të procesit, do ta mbajnë. Nuk do ta bëjnë publik. Vetë prokurorët për shkak të atij sekreti kanë kërkuar që provat të mos i dorëzohen delinkuentes Ballukut dhe jo të mos i jepen deputetëve.

Seancë të mbyllur për vjedhjet e Edi Ramës ne nuk pranojmë. Ne nuk pranojmë seancë të mbyllur për vjedhjet e Lubi Ballukut. Jo seanca do të jetë e hapur.

Nuk jemi ne si deputet që na kanë vjedhur, janë qytetarët shqiptarë që janë vjedhur prej tyre”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë