Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se forca e tij politike do të shkojë në Parlament, pavarësisht se nuk njeh zgjedhjet.
Ai theksoi se bojkotimi i Parlamentit nuk është një opsion i mirë, dhe se opozita duhet të përballet me regjimin e cilësuar prej tij si “narkodiktaturë” me energji dhe forma të reja.
“Nuk është një variant, po u them demokratëve që mendojnë të mos futemi në Parlament. Jo, nuk është më mirë. Në një diktaturë, duhet të falënderosh zotin që të jep mundësinë ta luftosh atë. Në këtë diktaturë, e pëson si Salianji, por nuk mund ta mohojmë që mundësitë për ta luftuar janë. Dhe kërkohet angazhim e përkushtim shumë më i madh, nga secili prej nesh”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD.
Berisha tha se njohja e këtyre zgjedhjeve do të bënte PD-në bashkautore në një farsë e cila sipas tij është më e shëmtuara në 32 vite.
Kreu i PD-së bëri thirrje për një ribrendim të strategjisë opozitare dhe për një qëndrim të ri në luftën kundër pushtetit aktual.
“Tani kërkohet ribrendim, kërkohet ndryshim para këtij mali të farsën elektorale. Beteja jonë kërkon energji të reja, forca dhe forma të reja. Nuk është një variant të mos futemi në parlament, jo nuk është më mirë”, tha ai.
Ai shtoi se PD do e nisë sesionin e ri parlamentar me kërkesat për hapjen e një Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 11 majit dhe çështjen McGonigal.
“Jemi të gatshëm të ndihmojnë hetimi në SHBA nëse e kërkojnë, kemi fakte që janë të dobishme edhe për ta. Në Parlament do jemi të pamposhtur ne mbrojte të interesave të tyre”, përfundoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




