Nga Gazeta 'Si'-Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët këtë të enjte, është shprehur se ditën e shtunë në orën 12:00 do të organizohet një protestë në qytetin e Shkodrës.
Berisha u shpreh se kjo do të jetë një protestë në shenjë solidariteti për viktimat e djeshme, “për t’i thënë jo dhunës së mafies."
"Sot jam këtu për të shpreh solidaritetin tim më të thellë ndaj secilit qytetar të Shkodrës ndaj të cilëve Rama përdor krimin, mafien më agresive për t’i mposhtur ata, për t’i frikësuar, për t’ua bërë qytetin e tyre të pajetueshëm. Ne shenjë solidariteti me qytetarët e Shkodrës ftojmë të gjithë opozitarët kudo që janë ditën e shtunë ora 12 në Shkodër, solidaritet për qytetarët e këtij vendi në këtë qytet të bekuar si dëshmi që s’do pranojmë kurrë që krimi të mposhtë Shkodrën dhe shkodranët.
Me këtë protestë me mosbindje civile ne i themi jo dhunës se mafies së Edi Ramës. Kjo mosbindje civile duhej të thirrej në Tiranë por dëshirojmë t’u shprehim nga afër të gjthë solidaritetin tonë qytetarëve të Shkodrës për të cilët Rama ka zgjedhur hanxharët e krimit me qëllimin që të mbledhi vota", tha Berisha.
Pasditen e së mërkurës, 3 persona u vranë në Dobraç të Shkodrës, ndërsa një u plagos. Sipas të dhënave paraprake policore, objektiv i këtij atentati ka qenë një nga viktimat, Hamza Lici, i cili udhëtonte në automjet së bashku me Arlind Bushatin, i cili gjithashtu mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave.
Aksidentalisht viktimë nga kjo ngjarje mbeti edhe shtetasja Flutura Basha, e cila po udhëtonte me motor me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, i cili po lufton ende për jetën në spital.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.