Politike

Berisha nis fushatën nga Durrësi: Qeveria fajtore për rritjen e borxhit dhe të çmimit të naftës

Sali Berisha ka nisur fushatën për zgjedhjet e pjesshme vendore, megjithëse zyrtarisht ajo hapet më datë 19 shkurt. Ish-Kryeministri dhe Komisioni i Rithemelimit të PD-së u ndalën në Sukth të Durrësit për të prezantuar Ardian Mukën, që kandidon për këtë bashki nën siglën e “Shtëpisë së Lirisë”.

Koalicioni i regjistruar vetëm me siglën e LSI-së dhe PDK-së është ankimuar në Komisionin për Ankesat dhe Sanksionet nga ana e Partisë Demokratike, që pretendon se në regjistrimin e tij u shkelën procedurat.

Sipas PD-së zyrtare, LSI ka dorëzuar kërkesën për regjistrimin e koalicionit para se të regjistrohej vetë si subjekt zgjedhor më 6 mars. Nga Komisioneri Ilirjan Celibashi ky pretendim u rrëzua, ndërsa me nisjen e takimeve të prezantimit të kandidatëve, Berisha duket e bindur se të njëjtin vendim do të marrë edhe KAS.

Para mbështetësve në Sukth, Berisha tha se çdo votë për Lulzim Bashën është votë që shkon për Edi Ramën, duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë akuzave të Bashës se vota për Berishën është votë për Ramën,

“Vota për kandidatin e Edi Ramës dhe peshkaqenit më të madh që ka parë bregu i Durrësit, Gjush Dakos, është votë e humbur, drejt të shkuarës, për varfërinë. Asnjeri të mos i lejojë vetes një gabim të tillë. Vota për kandidatin e Lul Bravës është votë për Edi Ramën dhe pushtetin e tij”, deklaroi Berisha.

Ish-Kryeministri ceku edhe çështjen e çmimit të naftës dhe të borxhit publik. Për të dyja fajësoi Qeverinë.

“Rritja e çmimit të naftës nuk vjen për shkak të bursës, por për shkak të qeverisë. Në vitin 2008 nafta ka kushtuar 115 dollarë fuçia. Sot nafta është 80-90 dollarë fuçia. Sot nafta është shumë më e lartë se atëherë. Sot naftën e marrim 3 herë më të lartë se në bursë. Këtu vjedhja shtrihet mbi ju, si një vello e zezë, që nxin çdo ditë e më shumë të ardhmen tonë dhe kjo është vjedhje e organizuar nga qeveria e qeveritarët. Çfarë po ndodh në Shqipëri. Borxhi ka arritur në 103 për qind të prodhimit të brendshëm të vendit. Çfarë u bë me këtë borxh? Asgjë, sipas KLSH-së u vodhën 8 miliardë euro”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë