Gazeta Si – Kryedemokrati Sali Berisha ka sulmuar sistemin e drejtësisë në lidhje me gjyqtaren e dosjes “Partizani”, Irena Gjokës.
Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim praqitje”, Berisha përdori gjuhë të ashpër ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD).
Sipas tij, këto institucione “kanë lëpirë çizmet” e Gjokës dhe kanë zvarritur apo manipuluar procedurat për ta mbrojtur atë në lidhje me dënimin për falsifikim të dokumenteve në Greqi vite më parë.
“Tani, në qoftë se ka një sistem turpi dhe qesharak, është ky sistem i kësaj drejtësie. Do t’u jap sot vetëm një shembull. Irena me 5 mbiemra, e cila mbrohet nga Altin Troplini sepse për ta mbrojtur, i ka hapur hetim pa emër, për ta mbrojtur nga çdo lloj mase, lëshoi tek këmbët e saj apo bëri t’i lëpijnë çizmet e veta institucionet që vijojnë: Prokurorin e Përgjithshëm, që iu desh dy vite për të nxjerrë një vendim, i cili ishte evident që në javën e parë. Prokurori i Përgjithshëm u zvarrit dy vite duke lëpirë çizmet e Irena Gjokës me shumë mbiemra, sepse nuk kishte të qartë se vula apostile nuk kërkon vërtetime. Ajo është vulë e sanksionuar në marrëveshjet ndërkombëtare si vulë zyrtare. Pas Prokurorit të Përgjithshëm, kulmin e arrin KLGJ-ja, e cila në akte mashtrimi, në akte kriminale ka hedhur poshtë kërkesat për shqyrtimin e saj”, – shprehet Berisha.
Por kreu i PD nuk u ndal me kaq, ai akuzoi edhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë. “Pra a mund të imagjinoni një institucion zyrtar që mashtron dhe shumëzon veten me zero për hir të Irenës me 5 mbiemra apo që lëpin çizmet e Irenës? Pastaj vjen famozi ILD, edhe ai nuk mund të bënte përjashtim pasi dokumentet kalonin nga njëri tek tjetri. Por kulmore është kjo, jo se ata zbatuan në mënyrën më të shpifur urdhrat e Edi Ramës gjer në vetasgjësim, por ata nuk japin dokumentet. U kërkohet tani dosja, por nuk e japin. Nuk i japin dosjen palës ankuese. A mund të imagjinohet? Pra, kjo është gjendja më mjerane, më e turpshme, më asgjësuese e këtyre institucioneve. Por kjo gjendje dhe kontrolli i plotë dhe total i Edi Ramës ndaj tyre faktohet veçanërisht këto muajt e fundit”, vijon kryedemokrati.
Gjyqtarja Irena Gjoka u denoncua nga kryedemokrati Sali Berisha, se nuk ka deklaruar një dënim të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005.
Prokuroria e përgjithshme konfirmoi dënimin, por Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me shumicë votash ta dërgonte çështjen për hetim në ILD dhe më pas të marrin një vendim.
Në një reagim të dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Irena Gjoka ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për vendimin e dënimit dhe po ashtu ai vendim i gjykatës së Janinës nuk kishte hyrë asnjëherë në fuqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje