Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zbatoi këtë të hënë në SPAK masën e sigurisë “detyrim parqitje” ndaj tij për dosjen “Partizani”.
Pasi doli nga godina, Berisha tha se ka lënë një letër, ku në fokus kishte Altin Dumanin, edhe pse ai nuk është më kreu i SPAK.
“Këtu në Skap lashë këtë shënim: Altin Troplinit, Pojës së Skapit (i mbeti atij, nuk ia vura unë, që kur e fali atë Elvis Doçin, ai mbeti Poja i Skapit), armikut të pluralizmit politik dhe avokatit të McGonigalit, me garanci se krimet e tij nuk do mbeten pa ndëshkimin e merituar ligjor. Sali Berisha“, tha kryedemokrati.
Duke marrë shkas nga arrestimi i presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane për akuzat e narkoterrorizimit, Berisha tha se ndryshe nga rasti i tij, Edi Ramën do ta rrëzojë populli shqiptar.
“Edi Rama zhvillon farsë elektorale, njësoj si Maduro. Një nga shkaqet që u arrestua ishte edhe fakti që nuk zhvillon zgjedhje. Edi Rama zhvillon farsë elektorale. Këshilli i Europës, gardiani i zgjedhjeve të lira, thotë që duhet të ndahet partia nga shteti”, tha Berisha pas daljes nga SPAK.
Berisha theksoi se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. “Është populli shqiptar, opozita shqiptare, që do t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar. Unë e kam përshëndetur arrestimin e Maduros dhe ndëshkimin e tij, si një fitore për njerëzit e lirë, por nuk kam deklaruar ndonjëherë se Forcat Delta do të vijnë ta arrestojnë. Po, kam deklaruar, se në aferën McGonigal, Edi Rama është po aq kriminel sa McGonigal”, shtoi ai.
Por çfarë qëndrimi do të mbajë opozita dhe ai vetë me kreun e ri të SPAK-ut, Klodian Braho?
“Nuk do kërkojmë asgjë tjetër veçse zbatimit të ligjit. Altin Troplini instaloi në mënyrën më kriminale praktikën staliniste të arrestimeve pa prova dhe krijimit të provave pas arrestimeve. Kjo është faqja e zezë që ai hapi në këtë institucion për të cilën do bëhet përgjegjës. Drejtuesi i ri, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin ka dhe do ketë mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare”, u përgjigj Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




