Nga Gazeta ‘Si’– Në një fjalim të ashpër në Kongresin e Partive Popullore Europiane (PPE), kreu i PD Sali Berisha denoncoi situatën politike në Shqipëri, duke e përshkruar vendin si “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për kontroll total mbi pushtetet, ekonominë dhe median duke bllokuar platforma si TikTok, për të shtypur zërat kritikë sipas tij.
Në fillim të fjalës së tij, Berisha e përshkroi Shqipërinë si një vend ku vullneti i qytetarëve është marrë peng nga një makineri mafioze blerjeje votash dhe nga intimidimi sistematik.
“Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku gjithë pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm. Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve dhe ka kthyer zgjedhjet në një fasadë.”
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit ishte denoncimi për përfshirjen e kryeministrit Rama sipas tij në korrupsion ndërkombëtar:
“Diktatori tiranik, narkodiktatori, ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, që të punonte kundër opozitës shqiptare. I dha atij 225,000 dollarë, por ju siguroj që nuk ishte i vetmi që u ble kundër opozitës.”
Berisha tha se Shqipëria sipas tij është kthyer në një sipërmarrje të përbashkët mes shtetit dhe krimit:
“Dokumente, mijëra dokumente nga vende partnere, provojnë sot se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët në vendin tim.”
Ai përmendi gjithashtu çështjen e Fredi Belerit, duke theksuar:
“Ai u mori mandatin kryetarëve të bashkive të opozitës, siç është rasti i Fredi Belerit, i cili sot është eurodeputet, sepse arsyeja e vetme ishte që Beleri nuk pranoi t’i jepte tokën që nuk i përket familjes Rama.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




