Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se nëse vjen në pushtet, në 100 ditët e para të qeverisjes së tij do të ‘shkrijë’ platformën E-albania dhe do rikthejë të gjitha zyrat si në 2013.
Ai tha se çdo zyrë do të kthehet nëpër bashki siç kanë qenë më parë.
“Mungesa e të gjitha zyrave, shkatërrimi i qyteteve, heqja e administratave, premtimet e mia ishin të qarta. Kjo merr fund 100 ditët e para, në çdo rreth do kthehen të gjitha zyrat siç kanë qenë në vitin 2013, të gjitha shërbimet”, tha Berisha.
Ai shtoi se gjatë takimeve në jug konstatoi sipas tij mungesën e qindra mijëra të rinjve që janë larguar nga ato zona dhe theksoi se për qytetarët, sipas tij, mungojnë shërbimet.
“100 kilometra bën qytetari nga Himara për të shkuar në Vlorë. Bashkia do i ketë aty shërbimet”, tha Berisha.
Edhe më herët gjatë këtij muaji, ai ka premtuar se do bëjë rikthimin e zyrave të informacionit, pasi sipas tij platforma E-albania nuk funksionon.
“E-Albania është bërë si telefon i prishur, një telefon që nuk bie kurrë. Bjeri sa të duash, kliko aty, por ajo të plas shpirtin dhe nuk të jep shërbimin. Ne do të rikthejmë zyrat e informacionit, zyrat e takimit me qytetarët, zyrat e informacionit në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimit dhe informacionet që duan”, pat deklaruar ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.