Politike

Berisha mohon të jetë thirrur në SPAK për ’21 janarin’: Nuk kam marrë fletëthirrje

Nga Gazeta Si- Kreu i PD, Sali Berisha ka mohuar të jetë thirrur për të dëshmuar në SPAK për ’21 janarin’.

Ai u pyet nga gazetarët për fletëthirrjen e SPAK për 21 janarin dhe tha se deri tani nuk ka një fletëthirrje ndaj tij, ndërsa sulmoi Prokurorinë e Posaçme, ku tha se prej vitit 2013 e ka në dorë Edi Rama, dhe se sipas tij është Rama që ka penguar hetimet për vrasjet e “21 Janarit”.

“Nuk kam marrë asnjë fletëthirrje sepse Alfred Greca ua çon gazetarëve para se të ma çojë mua. Nga 2013 derri sot që Prokurorinë e ka në dorë Rama, është vetëm ai që ka penguar hetimin. Berisha ka kërkuar prokurorë ndërkombëtarë, ka kërkuar hetim”, tha Berisha.

Sipas dokumentit zyrtar, Ish-kryeministri është njoftuar të paraqitet të premten në orën 10:00 si person që ka dijeni për ngjarjen në 3 adresa të ndryshme, atë të Parlamentit, Partisë Demokratike dhe në banesën e tij. Urdhri është firmosur më 7 nëntor 2025 nga prokurori i SPAK, Alfred Shehu, i cili po heton çështjen penale.

Në urdhër, thuhet se Berisha thirret për t’u marrë në pyetje si person që ka njohuri për rrethanat e dobishme për hetimin, në kuadër të procedimit penal për veprat: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”; “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës“.

Më 30 tetor, edhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011, kohë kur ai ishte ministër i Brendshëm.

SPAK regjistroi procedim penal për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.

Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Në 21 janar të vitit 2011, gjatë protestës që u zhvillua përpara kryeministrisë, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë