Politike

Berisha me 12 drejtuesit e qarqeve: Nisni sa më parë një revolte popullore për të shkuar te qeveria teknike

Lideri i demokratëve ka mbledhur pasditen e së dielës drejtuesit e rinj politikë të Partisë Demokratike në qarqe.

Në këtë takim të parë që nga mbledhja e Kryesisë, Sali Berisha u tha 12 drejtuesve të rinj të PD-së se misioni që kanë marrë është më i rëndësishmi i jetës së tyre.

Kryedemokrati tha se detyra e tyre kryesore është “inicimi sa më parë i një revolte popullore për arritjen e një qeverie teknike, për zgjedhje të lira e të ndershme.”

“Misioni që keni marrë përsipër është më i rëndësishmi i jetës suaj. Sepse, suksesi i këtij misioni, është vendimtar për rikthimin e Shqipërisë në normalitet. Për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri. Për rivendosjen e shtetit ligjor. Respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Por, dhe rikthimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e prosperitetit, vokacionit perëndimor të kombit.” tha ai.

Po ashtu, Berisha kërkoi nga drejtuesit e rinj politikë në qarqe që të riorganizojnë partinë.

“Detyra juaj është detyrë shumë e veçantë. Si lider, të PD në qarqet ku jeni ngarkuar, kërkon që ju të jeni organizatorë të shkëlqyer, kërkon që ju me ekipin lokal, të riorganizoni Partinë Demokratike. Kemi një nevojë jetike vendimtare për një organizim solid. Ju vetë duhet të jeni të gatshëm, të organizoni demokratët, ata aty janë, ata presin t’i organizojnë. Veç organizimit, detyra juaj është t’i frymëzoni. Nëse e bëni këtë, ju garantoj se forcë në botë që të pengojë realizimin e qëllimeve tona objektive...” shtoi Berisha.

Mes përgatitjes për protesta apo për fushatë, Berisha tha se për demokratët, përparësi absolute kanë protestat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë