Nga Gazeta ‘Si’ – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi mbylljen e procesit të aplikimeve për primaret brenda PD-së.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD, që u mbajt këtë të enjte, Berisha theksoi se pjesëmarrja masive e kandidatëve në këtë proces është sipas tij një tregues i besimit të lartë që shqiptarët kanë ndaj kësaj force politike.
“Sot në këtë mbledhje miratojmë kandidaturat e qindra aktivistëve, drejtuesve dhe mbështetësve tanë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në primare, një proces ky themelor për të qenë kandidat për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë nga PD,” tha Berisha.
Sipas tij, numri i lartë i aplikimeve – rreth 300 kandidatë – tregon jo vetëm besimin e shqiptarëve te Partia Demokratike, por edhe vendosmërinë e anëtarësisë për të ndërtuar të ardhmen e tyre politike brenda kësaj partie.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te programi politik i Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një përgjigje konkrete ndaj problemeve kryesore me të cilat përballet sot Shqipëria.
“Programi ynë synon një ndarje të shpejtë të Shqipërisë nga varfëria e skajshme, duke u angazhuar për një shpërndarje të re të të ardhurave buxhetore,” tha ai.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për primaret e PD-së u mbyll mesnatën e 17-18 shkurtit, duke shënuar një angazhim të gjerë brenda partisë për zgjedhjet e ardhshme.
Pas miratimit të listave, PD do të vijojë me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, duke synuar një përfaqësim të gjerë dhe të balancuar politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




