Politike

Berisha mbledh Këshillin Kombëtar të PD: Kemi përmbushur dy nga tre objektivat. Qëllimi ynë është fitorja

Nga Gazeta 'Si'- Historik e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha 11 qershorin, ditën kur Gjykata e Apelit, i dha vulën dhe logon, grupimit të drejtuar prej tij, Rithemelimit.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha theksoi se kanë përmbushur dy nga tre objektivat e tyre madhorë.

I bindur për një fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Berisha tha se fjalimi i fitores do hapet me fjalët: ‘Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë’.

Sipas tij, nuk ka përçarje në Partinë Demokratike, duke theksuar se asgjë nuk i pengon për të arritur objektivin e tretë, që është fitorja.

“Kjo miqtë e mi është rëndësia e misionit tonë. Misioni ynë ndan përfundimisht narkoshtetin nga demokracia. Misioni ynë çliron përfundimisht Shqipërinë nga pushtimi më i egër i brendshëm që i është bërë këtij vendi”, tha Berisha teksa shtoi se realizimi i këtyre dy objektivave bën që sot Shqipëria sipas tij të jetë në një realitet të ri, që deri para pak kohësh do të ngjante i pamundur.

"Në mars të vitit 1992, kur PD erdhi në pushtet herën e parë, në fjalimin e fitores ju drejtova shqiptarëve me këto fjalë: Gëzuar ditën e parë të demokracisë. Ato fjalë sintezojnë më së miri misionin e atëhershëm të kësaj partie, sepse me atë akt PD ndante epokat për Shqipërinë. Ato fjalë ndanë diktaturën ideologjike nga demokracia.

Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhëshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë. Kjo miqtë e mi është rëndësia e misionit tonë", deklaroi ai.

Ai tha se misioni i parë lidhet me ekspozimin e së vërtetës.

“Sot e vërteta e narkoshtetit tregohet nga çdo statistikë ndërkombëtare. UNICEF para pak ditësh tregoi se fëmijët shqiptarë janë më të uritur se fëmijët e Afrikës. Specifikisht 47% e fëmijëve në Shqipëria vuajnë nga uria e moderuar, apo e theksuar. Pra jemi disa vende më keq se Ruanda që doli nga lufta civile, se Çadi dhe shumë vende të tjera.

Eurostat tregoi se 35% e shqiptarëve kanë ikur nga Shqipëria në 8 vite. Ndërkohë që regjistrimi i përgjithshëm apo censusi i Edi Ramës që duhej të publikohej ditën e përfundimit të tij në tetor të vitit që kaloi, u manipulua, falsifikua për 8 muaj për të fshehur gjenocidin më të madh të kryer ndaj kombit shqiptar në histori, nga Pashiqi i Tiranës, Edi Rama.

42% është rënia në 10 vite e numrit të maturantëve në Shqipëri, dhe këtë e thotë ministria e narkoqeverisë.

EUROSTAT po prap na tregoi se, shqiptarët kanë të ardhurat më të ulëta në Europë dhe çmimet më të shtrenjta. 47% e fëmijëve shqiptarë janë të uritur, sepse vetëm qumështi këtë vit kushton në Shqipëri, 20.7 më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE-së, me të ardhura dhe rroga mesatare disa herë më të larta se Shqipëria.

Dhe statistikat nga institucionet ndërkombëtare vazhdojnë një çarçaf i tërë. Këto nuk janë shifrat e një vendi në luftë civile, statistikat e një kombi të pushtuar nga një pushtues barbar, por janë të vërtetat e hidhura të Shqipërisë së Edi Ramës.

Por sot e vërteta e narkoshtetit nuk tregohet vetëm nga mediat dhe statistikat e institucioneve më serioze ndërkombëtare.

Sot e vërteta e narkoshtetit tregohet nga vetë Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Ish/zv-kryeministri Arben Ahmetaj, bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës, e thotë me gojën e tij, se Edi Rama kontrollon krimin e organizuar, se ai është arkitekti i vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë, inceneratorëve famëkeq. Se ai është arkitekti famëzi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë