Gazeta Si – Apeli i Posaçëm në GJKKO, ka lënë në “arrest shtëpie” Sali Berishëm, duke vendosur që të rrëzojë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë ose lehtësim të saj, pasi është në hetim për dosjen e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.
Gjyqtarja e Apelit të GJKKO-së, Ilirjana Olldashi shpalli vendimin për ish-kryeministrin, pasi seanca e djeshme u shty. Apeli i GJKKO-së vendosi mos ndryshimin e masës së arrestit, duke lënë në “arrest shtëpie” ish-kryeministrin.
Në përfundim të seancës, avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj e cilësoi arrest politik, ndërsa tha se “beteja vazhdon”.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, njofton Gjykata.
Në një prononcim për mediat, avokati Genc Gjokutaj e ka cilësuar këtë vendim të Apelit si një absurd duke theksuar se do vijojë rekursi në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e miratoi vendimin e Shkallës së Parë. Unë ju thashë dhe dje, kërkesa për përjashtimin e gjyqtares u shqyrtua pas marrjes së vendimit për Berishën, është një gjë absurde. As më shumë e as më pak, Gjykata e Apelit vërtetoi që u dekriptua përfundimisht qëllimi politik i mbajtjes në izolim të zotit Berisha. Pasi për SPAK-un dhe për Gjykatën Anti-Korrupsion nuk ka rëndësi nëse ai paraqitet ose jo, nëse ai jep shpjegime apo jo, është në dispozicion të procesit apo jo, qëllimi është që ai të izolohet. Zoti Berisha erdhi një ditë para gjykimit, Gjykata e shtyu sot, nuk e kuptova arsyen. Ka bërë dhe një gabim tjetër, se nuk është shprehur për kërkesën për përjashtimin që ne kemi animuar bashkë me vendimin. Beteja vazhdon! Ajo e shpalli vendimin, nuk kemi ça presim…Do të rekursohet vendimi i Apelit”, deklaroi Gjokutaj.
Dy mbrojtësit e liderit të opozitës e konsiderojnë vendimin e dhënë në 30 dhjetor si të paligjshëm dhe të marrë në kushtet kur më parë duhej shqyrtuar kërkesa e tyre për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Ndërkohë nga ana tjetër, prokurorët thonë se Berisha nuk ka respektuar vendimmarrjen e gjykatës dhe rëndësinë e veprës penale.
GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës më 30 dhjetor dhe ish-kryeministri nuk ishte i pranishëm në seancën e parë parlamentare pas festave të fundvitit, që u zhvillua të hënën (15 janar).
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit, së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.