Politike

Berisha kundër mbylljes së i TikTok: Akt ekstrem censure nga Rama, do ta rihapim pas zgjedhjeve

Gazeta Si - Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë shqiptare për të bllokuar platformën Tik Tok për 1 vit në Shqipëri, ku shkak u bë vrasja tragjike e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij pranë shkollës "Fan Noli".

Në një video-mesazh, Berisha thotë se Rama vendosi ndalimin e platformës pasi pëlqyeshmëria e tij në mediat sociale ka rënë përtokë sipas sondazheve. Ai thekson në mesazhin e tij, se ky është një akt ekstrem censure.

"Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e TikTok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë. Mirëpo, kompania e TikTok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet", - tha Berisha në mesazhin e tij të shpërndarë në rrjetet sociale.

Berisha u shpreh në fjalën e tij se në prag të zgjedhjeve, kryeministri nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këtë platformë. Kryedemokrati premton se TikTok do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve nëse PD vjen në pushtet.

"Duke ju garantuar se, platforma e TikTok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve, ju ftoj të dashur miq, të postoni në llogaritë tuaja të TikTok, por edhe rrjeteve tjera sociale, statuse në mbrojtje të kësaj platforme dhe në dënim të censorit ekstrem, narkodiktatorit Edi Rama", - shtoi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë