Nga Gazeta ‘SI’ – Demokratët kanë kritikuar raportimin e kreut të SPAK në Kuvend, duke e quajtur atë “të kapur” nga kryeministri Edi Rama dhe partia Socialiste.
Kreu demokrat, Sali Berisha, e cilësoi drejtuesin e SPAK-ut avokat të vjedhjeve më të mëdha në historinë e vendit dhe të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke përmendur çështjet e inceneratorëve, marrëveshjen me CEZ dhe projektet e mëdha infrastrukturore.
“Ishte një rast unik në jetën tuaj, e të gjithëve, se si panë grupin e mëkatarëve të strukur, të përulur gjer në dhe, se si e panë avokatinë e shpifur që iu bë këtu një sistemi i cili po penalizon më shumë se cilindo tjetër qytetarin më të thjeshtë. Ju, avokatët e Dumanit, të kapurit peng të Edi Ramës, nuk duhet të harroni se për qytetarët shqiptarë, që vetëm me CEZ kanë humbur miliona euro fatura të certifikuara për shkak të pazareve që Rama ka bërë me CEZ, ndërkohë që auditi ndërkombëtar i thoshte ‘mos bëj marrëveshje, sepse qeveria shqiptare është në pozitën e fituesit’, por këto i mbulon Dumani dhe dumanët.
Ai është qytetari shqiptar që pagoi, sa qimet e kokës, 400 milionë euro për inceneratorët që s’kanë as nam e nishan sot. Ai thotë: ‘janë nën hetim paraprak’. S’ka më të shpifur! Çfarë hetimi paraprak, mor? Një mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët e djegësve Edi Ramën, kryearkitektin e këtyre. E dini kush është dënuar për inceneratorin e Tiranës? Është dënuar Arben Ahmetaj, që e ka kundërshtuar pesë herë, për shkak se iu gjetën pllakat e banjës! A e dini ju, qytetarë, se të marra bashkë këto bëjnë 1 miliardë euro?”, tha Berisha.
Flamur Noka e cilësoi Altin Dumanin si një “prokuror politik” nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama.
Sipas deputetit Noka, SPAK po mbyll sytë përballë shkeljeve flagrante ligjore për qëllime elektorale. Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR-it, ai deklaroi se qeveria shkeli hapur ligjin me vendimet për shpërblimin e 700 mijë pensionistëve dhe faljen e gjobave vetëm dy ditë para zgjedhjeve. “OSBE-ja e konstaton që është shkelur hapur ligji. Dumani nuk e konstaton që është shkelur hapur ligji. Për Dumanin nuk ka shkelje ligji,” u shpreh Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



