Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi se kriteret e zgjedhjeve janë shkelur në mënyrën më të pamëshirshme.
Një ditë pas zgjedhjeve të 11 Majit Berisha bëri thirrje për strukturat e partisë që të bëjnë “gjithçka për të mbrojtur çdo votë, me përkushtimin më të madh”.
“Çdo votë kundër regjimit meriton vlerësimin më të madh. Unë sot këtë kam qëllim kryesor të daljes para jush (gazetarëve). Duhet treguar serioziteti maksimal në numërimin e çdo vote të hedhur në kuti”, tha fillimisht Berisha.
Më tej, kreu demokrat komentoi rezultatet e deritanishme, ku Partia Socialiste ka thelluar diferencën me opozitën.
“Të durojmë për të përfunduar edhe numërimin e votës së fundit. Atëherë, PD-ja do të bëjë të gjithë vlerësimet e saj. Nëse punësohen dhjetëra mijëra punonjës për votë, nëse mbillen hektarë toke me kanabis për votë, nëse patë qendrat e votimit të mbushura me patronazhistë, nëse patë faljen dy netë para të rreth 150 milionë euro gjoba të mbi 170 mijë qytetarëve, atëherë ua vini vetë emrin zgjedhjeve. Por, unë sot jam këtu për t’i bërë thirrje strukturave të numërojnë çdo votë”, theksoi Berisha.
Sipas Berishës, “kriteret e zgjedhjeve janë shkelur në mënyrën më të pamëshirshme”.
“Nuk ka njeri që vë në dyshim këto që themi ne, por unë sot jam këtu për të kërkuar nga strukturat e PD-së që të numërojmë çdo votë”, nënvizoi Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse do të pranojë rezultatin zgjedhjeve nëse ata do të njihen nga ndërkombëtarët, Sali Berisha u përgjigj duke thënë se vetëm Zoti mund ta ndalojë PD-në.
“Vetëm ai që është sipër mund të ndalojë PD-në pa bërë gjithçka për të mbrujtur votën e Shqiptarëve. Ky popull do të votojë i lirë. Forcë në të nuk do të ketë të ndalojë shqiptarët të votojë i lirë.
Ta harrojë kush që mund të pengojë shqiptarët pa votuar edhe ata si kombet e lira”, tha kryedemokrati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.