Politike

Berisha: Kodi i ri penal ka dalë nga shpellat e mafies!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi qeverinë për draftin e ri të kodit penal, të prezantuar javën e kaluar, duke thënë se aty sipas tij trajtohen me butësi maksimale zyrtarët.

Sipas Berishës, ndryshimi i kodit penal pa asnjë konsultim paraprak tregon se Shqipëria është një shtet mafioz, që referuar tij, diktohet nga kartelet e drogës.

“Nga viti 1992 gjer sot, Shqipëria ka hartuar ligje të bazuara në standardet më të mira dhe të asistuar nga institucionet kompetente evropiane. Në vitin 1995, u miratua kodi i parë penal. Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua kodi penal që është sot në fuqi. Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, nga zyrat e Edi Ramës, një tekst tjetër i ri i kodit penal”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Ai tha se ndryshimi i kodit çdo 10 vite do të thotë sipas tij se është  një akt i ndërmarrë nga interesa të mprehta.

“Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë