Politike

Berisha: Këto zgjedhje janë unike, sepse për herë të parë gjysma e elektoratit është jashtë vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me të gjithë kryetarët e degëve deklaroi se “këto zgjedhje për çdonjërin prej nesh janë unike, janë të parat zgjedhje të këtij lloji në 34 vite” sepse “janë zgjedhjet e para në të cilat gjysma e elektoratit është në Shqipëri, gjysma e elektoratit është nëpër botë”.

“Dhe ridimensionimi, përshtatja e veprimtarisë sonë me këtë realitet të ri është i një rëndësie vendimtare për fitoren e opozitës më datën 11 maj. Duhet pranuar se, forcat politike në Shqipëri startojnë përpjekjet dhe fushatën elektorale jashtë Shqipërisë nga mungesa e plotë e eksperiencës”, tha Berisha duke shtuar se .fushata elektorale me shqiptarët jashtë Shqipërisë është e një rëndësie absolutisht të njëjtë me fushatën brenda vendit.

“Në këtë kuadër, është e domosdoshme që ne përpjekjen tonë, veprimtarinë tonë ta ndajmë të njëjtë për elektoratin brenda dhe për elektoratin jashtë vendit. E domosdoshme. Duhet pranuar se, të dy fazat, ajo që zhvillohet në Shqipëri dhe ajo jashtë saj janë të një rëndësie kryesore për këtë proces, natyrisht përcaktuese është puna jonë brenda vendit”, shtoi kreu i PD.

Për këtë arsye, Berisha përcaktoi detyra të qarta për kryetarët e degëve. Ai u shpreh se duhet një grafik emergjent për identifikimin e emigrantëve që votojnë në zgjedhje.

“Unë e di se ju keni filluar punën, por ritmet e kësaj pune duhet me urgjencë të shpejtohen. Një grafik i ri do hartohet nga drejtuesit e qarqeve dhe do u shpërndahet kryetarëve të degëve dhe ju grafikun tuaj. Dua një grafik emergjence sepse vota, votimi i emigracionit pra gjysmës së elektoralit përfundon me datën 12 Mars. Është vendosur një datë afat për regjistrimin e tyre dhe ata që regjistrohen apo ky proces përfundon më 12 Mars. Pas kësaj date, mbyllet procesi për 1 milionë e gjysmë votues. Ata 1 milion e gjysmë votues janë më së pari në listat e votimit. I keni në listat e votimit. I keni pastaj në çdo familje dhe kudo, por listat e votimit janë dokumentet bazë të orientimit tuaj. Rezultatet e deritanishme nuk janë ato që duhet të ishin”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë