Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në seancën plenare, u shpreh sipas tij se Parlamenti, në katër vite u rreshtua kundër qytetarëve.
Ai akuzoi mazhorancën se sipas tij, ka varfëruar gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.
Më tej, pasi e kërkoi në Parlament, Berisha e akuzoi kryeministrin Edi Rama se “është futur në parkun zoologjik dhe jeton me botën shtazore”, duke përdorur sërish gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit.

“Kjo është seanca e fundit e këtij parlamenti, i cili në katër vite u rreshtua kundër qytetarëve, kundër interesave të tyre, kundër parimeve demokratike të një vendi të lirë dhe do të përfundojë në histori, si parlamenti i narkotidtaturës.
Pse ju do hyni në histori si parlamenti më i zi, pas diktaturës komuniste? Sepse ju për herë të parë në historinë 34-vjecare, votuat me dhjetëra ligje e vendime me të cilat varfëruat gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë, shumëfishuat rrogat tuaja dhe të zyrtarëve dhe kur erdhi puna te pensionet ju latë një shumë qesharake, 16 milionë për 800 mijë pensionistë dhe në këtë parlament kreu juaj deklaroi se nëse rriten pensionet, Shqipëria bie në humnerë.
Ju me ligjet thelluat hendekun mes të varfër dhe të pasurve. U bëtë strumbullar i politikave të përzënies nga Shqipëria. Në 4 vite kanë ikur nga Shqipëria më shumë se çdo kohë tjetër, përfshirë vitin 1991.
Ju u bëtë mburojë e plaçkitjes më të madhe të pronave publike nga deputetët tuaj, nga kreu juaj, i buxhetit. E shoh se e fshihni fytyrën para kamerave, por pavarësisht se e fshihni fytyrën populli ju sheh. Nuk mundet që mos shohë qytetari te ju njerëzit e pashpirt, të mos jetë u ndërgjegjshëm qytetari se kryetari juaj blen vazo në oborr aq sa kushtojnë 120 mijë pensione”, tha ai.
Berisha gjithashtu akuzoi mazhorancën duke e akuzuar për vendimin për arrestimin e tij.
“Ju votuat në 5 minuta për arrestimin tim, në një kohë kur, o të mjerë, vetëm mbrojta Parlamentin! Nuk bëra gjë tjetër. Dhe ju, si kukulla mjerane, votuat. Tani priteni! E bëtë, do ju kthehet. Karma… ju vjen mbrapa!” – tha Berisha.
Ai e cilësoi vendimin e mazhorancës si një sulm kundër opozitës dhe demokracisë, ndërsa e paraqiti veten si një viktimë të një sistemi të kapur nga pushteti.
Berisha u shpreh se ka pranuar shumë për të mbrojtur Parlamentin, por sipas tij, qeveria është ajo që e ka tradhtuar atë duke u ngritur kundër tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




