Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar përmes një konference për mediat që të anulohen bordet për vendosjen e çmimeve.
Sipas tij, këto janë forma tipike të diktaturave.
Berisha tha se bordet përligjin spekulimet dhe krijojmë mundësi për abuzime.
“Po shkohet drejt mungesës së ushqimeve në familjet e zakonshme shqiptare, Bordet e krijuara nga qeveria janë forma të vjetra që të kujtojnë kohërat e diktaturave. Nuk mund të ketë bord për rregullimin e çmimit të ushqimeve.
Qeveria ka mundësitë dhe mënyrat kur ajo nuk është frymëzuese e spekulimit, të godasë spekulimin aty ku lind. Qeveria është e detyruar të zbatojë praktika transparente dhe të mbrojë popullatën nga ky agresion i rritjes së çmimeve. Bordet veç sa përligjin spekulimet dhe krijojnë mundësi për spekulime. Anulimi i bordeve përveç entit të energjisë që është institucion konstant, është kusht për marrjen e masave të cilat janë fare të thjeshta.
Qeveria kompenson një për një rritjen e çmimit të produkteve të shportës. Kjo praktikë është ndjekur në të gjitha kohërat për ata që zbatojnë tregun dhe rregullat e tij. Rritja me 15-fish e çmimit të bukës në vitin 92 nuk krijoi asnjë problem sepse u kompensua për çdo qindarkë nga qeveria”, tha Berisha.
Ish-kryeministri foli erdhe për çështjen e Presidentit dhe kush është më i lakuar deri më tani nga socialistët.
“…Nëse javën e kaluar këtu folëm me fakte dhe argumente se kongresi i PS ishte më i ngjashëm se me çdo gjë tjetër me një kongres të Cosa Nostras, unë ju them se procesi i zgjedhjes së presidentit është shndërruar në një proces tipik të Cosa Nostras.
Edi Rama ka zgjedhur procedurat më mafioze të emrave në zarfa sekretë. Cili ka dalë emri më i përfolur. Jua them unë. Sipas statistikave të Edi Ramës dy të treta e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës ”, tha Berisha.
Sipas tij, Rama ka në mendje një tjetër skemë për presidentin.
Berisha tha se kryeministri i vendit po kërkon një President që të japë dorëheqje “pas disfatës elektorale që do pësojë Rama në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i lirojë vendin kreut të qeverisë”.
Por Berisha iu drejtua Ramës duke i thënë që ta harrojë si skenar pasi “s’do pranohet si presidenti i Shqipërisë me skema mafioze”.
Sipas tij, kryeministri “mendon vetëm për vete dhe se si të garantojë mbrojtje ligjore nga afera e inceneratorëve”.
Ai komentoi edhe deklaratën e Ramës se nuk do të bashkëpunojë me një “të vdekur” politikisht dhe reagimin e ambasadores amerikane Yuri Kim ndaj incidentit të tij me Alibeaj në podiumin e Kuvendit
“…Atë e ka kapur një panik i vërtetë. Demokratët do ta mundin. E vërteta është se jo për së gjalli por edhe për së vdekuri unë e mund atë.
Ai ka një trashëgimi më negative që mund të ketë njeriu. Ky është me komplekse të mëdha.
Lidhur me deklaratën, po theksoj këtu se ka marrë fund koha e lojës me kukulla. Sot ka opozitë të vërtetë. Askush nuk mund t’i diktojë kësaj opozite akuzat që duhet të bëjë dhe nuk duhet të bëjë. Unë pashë aty shqetësim edhe për akuza.
Unë publikisht sot para mediave shpreh keqardhjen por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar unë iu informova. Thashë se kam informacion për dy burime.
Guvenatorja bën takime për procesin gjyqësor që nuk ka asnjë bazë ligjore. Kurrë sipas përcaktimit të procedurave të kodit civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë. Unë këtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




