Nga Gazeta ‘Si’ – Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se do të ketë lajme të hidhura për kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij, çështja e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal po kthehet në tryezë.
Në një konferencë për media, Berisha theksoi se “dosja Rama-McGonigal po bëhet aktuale”, duke shtuar se ai mori 250 mijë dollarë në zyrën e Kryeministrit.
Ai theksoi se sipas tij jo vetëm Edi Rama do të gjykohet rëndë por edhe të gjithë ata që përpiqen ta mbulojnë atë. Berisha gjithashtu akuzoi kreun e SPAK Altin Dumani se po e mbron Ramën por tha se nga ana tjetër, Amerika nuk do të bëjë të njëjtën gjë.
“Dumani e mbron por vendi tjetër jo, sepse ai ka cënuar në mënyrë flagrante sigurinë e SHBA. Dhe këtu ai është fajtor para taksapaguesve dhe para qytetarëve të atij vendi”, deklaroi Berisha.
Ai përmendi edhe zhvillimin e fundit nga SHBA ku Trump emëroi si zv. Drejtor të përgjithshëm të FBI gazetarin Dan Bongino, i cili ka shkruar një sërë artikujsh në mediat amerikane ku ka pretenduar për lidhjet kriminale të kryeministrit Edi Rama me kartelin Sinaloa.
“Ajo ça mund të them unë është që si Drejtori i Përgjithshëm i FBI, ashtu dhe një nga gazetarët më të kuotuar, janë një zhvillim shumë pozitiv për FBI-në që do ketë në udhëheqje 2 persona të përkushtuar për transparencë të plotë.
Dhe ky është lajm i hidhur për Ramën pasi jo vetëm ky gazetar është emëruar në atë detyrë por është problemi tjetër se Trump ka shpallur kartelet e drogës organizata terroriste dhe Sinaloan e lidhur me Ramën”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.