Nga Gazeta ‘Si’- Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi të hënën në foltore se Partia Demokratike është e vendosur të zhvillojë kryengritje paqësore kundër qeverisë, duke theksuar se kjo është rruga që i çon në fitore.
Berisha u shpreh se mazhoranca socialiste ka përjashtuar opozitën nga çdo vendimmarrje.
Ai tregoi edhe një episod, për të ilustruar këtë fakt.
Berisha deklaroi se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi shkoi në Gjermani, pa marrë asnjë përfaqësues opozitar. Ai nënvizoi se ndaj kësaj qeverie, duhet qëndresa dhëmbë për dhëmbë deri në fitore.
“Kriza e thellë ka gllabëruar Shqipërinë. Roli ui parlamentit sot është zero, sepse është vetëm një person që dëgjohet dhe ai është kryehajduti Edi Rama. Asnjë ligj që propozohet nga opozita nuk kalon dot për votim në Kuvend. Ky parlament sot përfaqëson kusarët dhe është përjashtuar opozita në çdo përfaqësim të tij. Do u tregoj një zhvillim të fundit. Niko Peleshi do shkonte në Gjermani dhe do takonte hoologun e tij gjerman. Ai duhet të kishte edhe përfaqësues të opozitës. Ai iku pa asnjë deputet të PD-së. Jemi në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, por jemi me shpresë.
Shpresa më e madhe sot është se ne jemi opozitë e vendosur për të qëndruar. Ne do të qëndrojmë kundër regjimit dhe do protestojmë. Mbaj mend që në karrierën time, isha nisur për në Lushnjë për një fjalim. Policia bëri çdo gjë që të më pengonte të mbaja fjalim. Këta janë horra, ndaj këtyre duhet qëndresa dhëmbë për dhëmbë. Përcaktimi ynë për kryengritje paqësore buron nga bindja se kryengritja paqësore na çon në fitore. Kjo, sepse këta persona që janë në qeveri nuk meritojnë asnjë mëshirë. Nga Kryeministria dikur ka ikur një kryeministër socialist, dy ditë më vonë erdhi një tjetër kryeministër po nga PS më i keq nga i pari. Kjo ndodhi sepse ne nuk marrim pushtet me dhunë, por vetëm me votën e qytetarëve”, tha Berisha.
Më tej, Berisha kishte edhe kritika ndaj SPAK, që e quajti organizatë në shërbim të partisë në pushtet.
“SPAK-u nuk është shpresë, sepse është i partisë. Duhet të largojmë Edi Ramën, të kthejmë ligjin, drejtësinë dhe Kushtetutën. Me Ramën nuk ka të ardhme në Shqipëri. Fati i Shqipërisë është në duar tuajat dhe jo të Ramës, që është kryetari i organizatës kriminale.
Ai me një të rënë të lapsit e zeron drejtësinë. Duhet të protestojmë, të protestojmë e të protestojmë deri në fitore. Rama dje ka përdorur dhunë dhe resto atij do i kthehet. Nuk ka forcë në botë që na ndal. Ne do rikthejmë Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe integrimit në BE, siç e rikthyem në vitin 1992. Edi Rama të ardhme nuk ka. Rrugën e Shqipërisë për në BE ai nuk mund ta mbyllë kurrë”, përmbylli Berisha.
Ish-kryeministri përfundoi duke theksuar se, megjithëse kjo kryengritje nuk është një ndeshje futbolli, ajo nuk mund të ndalet pa arritur fitore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje