Politike

Berisha: Hetimi parlamentar po varros inceneratorët. (Dhe një qëndrim ndryshe për Ahmetajn)  

Ndryshe nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha tha në Kuvend se komisioni hetimor parlamentar për aferën e inceneratorëve nuk do të jetë zgjidhja duke bërë thirrje për protesta.   

“Ajo që po ndodh në këtë parlament është rast unik në historinë e një parlamenti. Është tragjike. Këtu përdoret në mënyrën më të papranueshme korrupsioni si mburojë. Ky parlament degradon çdo ditë e më shumë. Këtu krijohen komisione në vend që të përdoren për transparencë, përdoren për luftë të brendshme, brenda mazhorancës.

Një ditë, këta nxjerrin nga komisioni ministrat. Pas tre ditësh, palët në përleshje të brendshme, nxjerrin Lal Plehun. Gjithçka tregon se nuk është problemi për të bërë transparencë për ju të dashur qytetarë, por problemi është për zhvilluar luftë të brendshme dhe për ta përdorur korrupsionin si mburojë apo si çomange për të goditur tjetrin”, tha Berisha

“Janë dy hetime: një hetim parlamentar dhe një i SKAP-it. Të dyja përpiqen që të varrosin çështjen. Ju sjellin ju konfuzion me Gugale dhe stër-Gugale e me Zoton e të tjerë. Gjithçka bëhet për të mbuluar hajdutët e vërtetë. Asnjë qindarkë nuk lëvizte dot pa miratimin e Edi Ramës dhe me nxitjen e don Agaçit. Kjo aferë është monstruoze”, vijoi ai.

Berisha përmendi skemën që sipas tij është ndjekur për inceneratorët që në kohën e Shkelqim Canit për të përfunduar tek debati për inceneratorin e Tiranës, ku Berisha “kursen” deri diku Arben Ahmetajn duke u fokusuar tek Erion Veliaj.

 “Le t’i marrim me radhë: nis një procedurë nga Ministria e Mjedisit, pa pasur asnjë qindarkë të parashikuar në buxhet, por ai kishte të gjitha garancitë se fondet do të jepeshin, dhe fondet mund të jepen vetëm nga një person, nga kryeministri. Natyrisht me pëlqimin dhe përfitimin e Arben Ahmetajt, çka nuk e bëri Shkëlqim Cani, edhe pse nuk kam pasur konsideratë për të. U fituan aty, të paktën 13 milion euro. Këtu përmendni emrat e Gugales, Zotos dhe të tjerëve. Ata janë vetëm ushtarë në këtë aferë të tmerrshme që nuk ekziston për kreun e Meduzës.

Oreksi vjen duke ngrënë. U krijua mekanizmi. Qeveritarët përvetësuan 13 milionë me djegësin e Elbasanit. Tani o burra edhe më shumë. Të njëjtën gjë bënë me djegësin e Fierit. Qytetarët e Fierit të udhëhequr nga Luan Baçi protestuan për 3 muaj. Nuk u shitën dhe nuk u blenë, çka nuk e bëri një orë të vetme ish-kreu i opozitës në Tiranë.

Së fundmi, gjithnjë ai që vjedh një miliard, më thoshte një mik i imi, ambasador i SHBA në OSBE, duan të vjedhin miliardin e dytë. Oreksi vjen duke ngrënë. I njëjti mekanizëm me djegësin e Tiranës. Por tani lëshohet si lukuni Lal Plehu. Arben Ahmetaj pasi kishte mbushur valixhet me dy djegëset e para e kupton dhe tërhiqet se e kupton që u tejkalua çdo lloj norme e kupton se vjedhja mori përmasa më të mëdha. E vërteta është se me djegësin e Tiranës, qeveritarët ndanë të paktën 65 milionë euro. Dhe ju këtu përmendi biletat e Zotos dhe Gugalljas. Ato janë thërrime… ,” tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë