Politike

Berisha: Gonzato sillet si ambasadori i Ramës

Nga Gazeta ‘Si’- Nga mbledhja e Kryesisë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha sulmoi ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato duke thënë se sipas tij, ai sillet në Bruksel si ambasador i Edi Ramës.

Sipas Berishës, Gonzato përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD në procesin e integrimit.

Berisha deklaroi se Gonzato e ka raportuar hetimin e AKSHI-t si problem kulturor në Shqipëri, dhe kjo, sipas kreut të PD është shërbimi më i keq që ai u bën shqiptarëve.

“Çfarëdo që të bëjmë ne, ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel.

Dhe unë, duke shprehur keqardhjen time më të thellë, u bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamenteve të vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse, sepse të shpallësh AKSHI-n problem kulturor të shqiptarëve në Bruksel, siç ka bërë zoti Gonzato, ky është shërbimi më i keq që u bën shqiptarëve dhe unë i them atij zotërie se pengmarrje nuk është kulturë e shqiptarëve.

Dhe është një fyerje e rëndë që u bëhet shqiptarëve. Se ky vend dhe ky komb edhe kur nuk kanë pasur shtet, kanë pasur një ligj për kontratat civile dhe kontratat e tjera, që e kanë respektuar pa pengmarrje.

Dhe se AKSHI nuk është problem kulturor i shqiptarëve. AKSHI, shkëlqësia juaj, është problemi i baxhanakut të Edi Ramës, i bashkëshortes së Edi Ramës dhe vetë Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha tha gjithashtu se një tjetër qëndrim i ambasadorit Gonzato për të dëmtuar opozitën, është i paraqitjes së PD-së si një forcë MAGA, për ta bërë Shqipërinë të Madhe.

“Axhenda jonë, në qoftë se kishim vendosur të ishte MAGA, ne nuk fshihnim asgjë, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE.

Kjo histori e turpshme mashtrimi filloi me një trillim të padëgjuar ndonjëherë se Donald Trump kur erdhi LaCivita ka ardhur me një cek 9 miliardë dollarë për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE dhe kjo është qarkulluar në nivelet më të larta. Turp më i madh…

Por ne pavarësisht nga kjo, kemi treguar durim, kemi bërë sqarime, kemi qenë të ndershëm në qëndrimet tona, kemi deklaruar se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht përveç pozicionit gjeostrategjik të saj dhe u faktua kjo.

Nuk plotëson sepse ne e dinim se ç’po bën Edi Rama”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë