Politike

Berisha: Gjyqi publik ndaj hajdutëve është bërë dhe do bëhet mbi bazë dokumentesh në Kuvend

Nga Gazeta 'Si'- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë seancës në Kuvend, i është drejtuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropalit, duke i kërkuar të mos ndërpresë fjalën e deputetëve të opozitës.

Berisha tha se ministrat po akuzohen si hajdutë mbi bazë dokumentash, por për Spiropalin kjo nuk është një kërkesë për procedurë.

“Nuk mund të mos denoncoj brutalitetin me të cilin kryetarja i pret fjalën deputetes dhe proteston për faktin e vetëm se ajo o drejtohet asaj me epitetin që i drejtohet mbarë Shqipërisë”, tha Berisha.

Ndër të tjera ish-kryeministri vazhdoi duke thënë se gjyqin publik hajdutëve do ua bëjnë përsa kohë kanë prova.

“Në rast se ndonjëri në këtë sallë ju drejtohet duke ju thënë hajdut pa bazë dokumentesh, ju keni të drejtë ta padisni për shpifje. Por nëse në bazë dokumentesh këtu bëhet gjyqi publik i hajduteve është bërë dhe do bëhet”, tha Berisha.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, “kritikoi” Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, duke theksuar një ndryshim të papritur në qëndrimin e saj, për të cilin ai tha se ishte reflektuar në fjalor dhe edhe në shprehjen e fytyrës.

“Zonja kryetare, vë re një ndryshim shumë të madh të qëndrimit tuaj, i cili shprehet në fjalor, madje dhe në fytyrë jeni shumë e egër, duket sikur ju kanë rrahur. Ka ndodhur ndonjë gjë? Sepse neve jemi deputet dhe ju kemi juve kryetaren tonë, dhe duhet të të dalim në krah nëse ju ka ndodhur gjë,” – tha Spaho.

Në reagimin e saj, Spiropali u përgjigj duke qeshur, ndërsa i tha demokratit: “As sqima juaj estetike nuk është për procedurë, ju lutem mbyllini mikrofonin, vijojmë më të tjerët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë