Politike

Berisha fton qytetarët në protestë: Skandali i AKSHI-t po kundërmon në Europë!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestën që do të zhvillojë Partia Demokratike më 24 janar. Në një konferencë për mediat, ai tha se e shtuna do të jetë një datë e rëndësishme në përpjekjen për të rrëzuar regjimin.

“Ndaj dhe jam sot këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, shpresa e fundit e Shqipërisë janë ata guximtarë që do vendosin të protestojnë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti. 24 janari është një datë jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen për të rrëzuar këtë regjim, këtë organizatë kriminale që nuk njeh asnjë ligj, standard, Kushtetutë, normë apo standard. Mbarë shqiptarët kudo që janë, njerëzit e lirë në Europë dhe në botë, presin me 24 janar fjalën e kryengritjes paqësore të qytetarëve të revoltuar të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Ndaj dhe në ora 5 të datës 24 janar ftoj çdo qytetar të Tiranës dhe mbarë vendit të mbushim sheshet dhe rrugët e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij”, tha Berisha.

Ai u ndal edhe te skandali i AKSHI-t duke theksuar se po “kundërmon në Europë”. Ai akuzoi Ramën se ka përdorur agjencinë për të përgjuar dhe kontrolluar jo vetëm qytetarët shqiptare, por edhe çdo të huaj në vend.

“Nga AKSHI janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut, tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo përbën një dhunim të madh të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe Europën”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë