Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa foli për protestën e radhës, Berisha i shtriu dorën e bashkëpunimit të gjitha forcave opozitare, nga Agron Shehaj tek Adriatik Lapaj dhe Arlind Qori.
Ai tha se në protestën e radhës do të ftojë të gjithë partitë pasi sipas tij, ka ardhur moment që të krijohet një front i gjerë i opozitës.
Sipas Berishës, flamujt e partive të tjera në protestë nuk të jenë pengesë për bashkimin.
‘Ne nuk kemi asnjë pretendim që partia Mundësia të mos vijë në protestë me flamurin e vet.
Të gjitha partitë të vijnë me simbolet e tyre”, tha Berisha.
I pyetur nëse protesta e radhës do të mbahet para 20 shkurtit, ai u shpreh se kjo do të vendoset në vijim.
“Të gjitha partitë pa përjashtim do ftohen. Ne mendojmë se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar, në mënyrë që me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, forcat politike opozitare të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe, të bashkërendojnë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës. Janë të ftuara pa përjashtim të gjitha.
Data e radhës do të përcaktohet por ka shumë mundësi që të mbahet para datës 20 shkurt. Konsultimet nisin sot. Ne nuk heqim dorë, strategjia jonë është protesta”, tha ai.
Pritet për t’u parë nëse Lapaj, Shehaj dhe Qori do t’i përgjigjen ftesës së Berishës, ngase deri më sot ata kanë kundërshtuar çdo bashkëpunim të mundshëm me të.
Edhe më 22 dhjetor, kur Berisha i ftoi që t’i bashkoheshin protestës pavarësisht dallimeve, si Lapaj, ashtu dhe Qori e Shehaj e refuzuan ftesën e tij.
Qori deklaroi se ai protestën e tij e bën në Parlament dhe tha se personi që thërret protestën, duke iu referuar Berishës, duhet të ketë reputacionin moral për t’u besuar.
Edhe Shehaj në një studio televizive, tha se vetë opozita nuk është e besueshme dhe se me Berishën kanë qëndrime të ndryshme se përse protestojnë.
Ndërkohë Lapaj, i cili ishte në shesh duke zhvilluar protestën e tij para Kryeministrisë kur Berisha i bëri thirrje, deklaroi se ai e refuzoi ftesën e Berishës duke theksuar se kur ai ka ofruar që të gjitha partitë opozitare të bashkoheshin në shesh kundër qeverisë Rama, pa logo, PD nuk ka qenë prezente.
Ai la të kuptohej se nëse PD do t’i ishte bashkuar thirrjes së tij, edhe Lapaj do të ishte me demokratët për ta bërë protestën më masive.
“Unë kam ofruar vizionin për një protestë kombëtare me flamurin kombëtar, përtej logove të partive. Nëse PD do ta pranonte këtë, do të isha edhe unë së bashku me ta aty, për ta bërë masive, që askush të mos na ndalojë. Duhet ta kuptojmë se nuk duhet të jetë miting, por revoltë qytetare me qëndresë, revoltë e njerëzve që vijnë në shesh dhe nuk ikin më. Ai nuk ikën me mitingje, është provuar për 13 vite dhe nuk ka ikur. Prandaj duhet flamuri kombëtar që na udhëheq dhe një bashkim i madh i të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë, me parti apo pa parti. Sot është momenti, është koha që demokratët e ndershëm, socialistët e ndershëm, të krishterët, myslimanët, të gjithë ata që vidhen dhe që mendojnë se jemi nën një regjim nga më të korruptuarit në botë, të bashkohen”,- tha Lapaj.
Kujtojmë se ai që prej datës 8 dhjetor, qëndron në shenjë proteste para Kryeministrisë, ku kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, së bashku me një grup aktivistësh të subjektit “Shqipëria Bëhet”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




