Nga Gazeta Si- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quan grupin e AKSHI-t një organizatë kriminale, duke përmendur edhe ngjarjen e para disa muajve, ku fillimisht u njoftua se Daniel Shima, ish-zv/drejtor i përgjithshëm, është marrë peng por më pas ai deklaroi se ishte larguar vetë.
Berisha tha se “e morën peng, sepse e akuzuan si spiun. Një ditë në mes të Tiranës, persona të veshur policë, e rrethojnë dhe ish-zv drejtori e kupton se çfarë fati do ketë. I çon mesazh nënës apo partneres se nuk e mbaj mend mirë, se po e marrin peng persona me uniforma policie”, tha Berisha, duke shtuar se Shimën e futën në Qytetin Studenti, e kthyen dhe e dërguan në bodrumet e Suel Çelës.
“Urdhri ishte ta groposnin. Por urdhri ndryshoi, kur e morën vesh se e ka dërguar mesazh tek të afërmit dhe historia tashmë ishte marrë vesh. Por në këtë moment, e torturuan, ia thyen kockat. Ish-zv ministri i AKSHI-t nuk dihet a është gjallë apo jo”.
Ndër të tjera, Berisha tha se dy biznesmenët, për të cilat janë lëshuar masa sigurie sot nga SPAK për tenderat tek AKSHI, janë në Dubai.
“Këto janë rreth i rrezikshëm. Këta bashkëpunonin edhe me bandat”, tha Berisha, duke shtuar se të paktën prej 3 javësh Ergys Agasi është në arrati në Dubai, bashkë me biznesmenin Ermal Beqiri.
SPAK gjatë ditës së sotme, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. E njëjta masë për zëvendësen e saj, Hava Delibashi, ndërsa ajo e “arrestit me burg” për disa biznesmenë. Ata akuzohen për veprën të shkeljes së barazisë në tendera dhe grup kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




