Politike

Berisha e quajti aferë korruptive, Balluku: Lufta kundër Portit të Durrësit, është kundër interesit strategjik të Shqipërisë

Nga Gazeta 'Si' - Ndërsa kreu i PD Sali Berisha e konsideroi sot Portin e Durrësit si "gjoba më e madhe në histori ndaj shqiptarëve”, ministrja e Energjisë Belinda Balluku ka shkruar se lufta kundër këtij projekti është luftë kundër vendosjes së Shqipërisë në hartën e Mesdheut si një pikë e re e rrjetit të tregtisë navale.

Përmes një statusi në Facebook, ajo shkruan se kjo është luftë kundër fuqizimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si pjesë integrale të projektit të portit të ri, ku në Prishtinë dhe Shkup do të ndërtohen dy porte të thata të lidhura me Durrësin.

"Është luftë kundër hekurudhës Durrës - Prishtinë dhe Korridorit 8 që pa portin e ri të Durrësit nuk bëjnë asnjë sens. Është luftë kundër sigurisë së Shqipërisë dhe rajonit, që me krahun ushtarak të NATO-s në projektin e portit të ri të Durrësit ngrihet në një nivel tjetër.

Është luftë kundër vetë interesit strategjik të Shqipërisë dhe prandaj është një luftë e humbur, e cila bëhet nga ata që kanë dhënë prova se edhe e kanë djegur Shqipërinë për interesat e tyre”, shkruan Balluku ndërsa shton se sipas saj, sot opozitës i ka mbetur balta që edhe e eksportojnë jashtë në media të huaja, për t’u dukur më të besueshëm kur e hedhin pastaj këtu.

“Por sa më shumë baltë të hedhin, aq më thellë ajo baltë do t’i përpijë pranverën që vjen, kur do ta marrin përgjigjen jo me baltë, po me votat e shqiptarëve.

Shqipëria ka dalë tanimë nga balta dhe as nuk ndalet më as nuk kthehet më kurrë në baltën e atyre që luftojnë kundër interesave të saj”, shkroi Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë