Politike

Berisha e lexon ndryshe progres-raportin e BE: Nuk është shkëlqim por ndryshk!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka lexuar ndryshe Progres Raportin e BE për vitin 2025 për Shqipërinë, në plotësimin e reformave dhe rekomandimeve për integrimin në BE.

Ai kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, që e cilësoi raport të jashtëzakonshëm dhe të shkëlqyer.

Berisha tha se ky nuk ishte “raport i shkëlqyer, por i ndryshkur”. Berisha tha se sipas tij krimi i organizuar ka kapur vendin, drejtësia është në kolaps, parlamenti nuk funksionon dhe skandalet e korrupsionit me zyrtarë të lartë janë zbuluar.

“Çfarë shkëlqimi shikojnë ata, ku e shohin shkëlqimin të dashur qytetarë? Ky është ndryshk. Raport Progresi i Komisionit Evropian është radiografi e plotë, një raport i zi. Zgjedhjet u deformuan, Kuvendi është kapur, drejtësia në kaos, në kolaps, me stok dosjesh e mungesë burimesh, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen. Ai thotë se Gjykata ruajti pavarësinë. Ku e ka zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Olta Xhaçkën? Apo është aksioner me të te pronat që kanë grabitur. Po krimi i organizuar dhe kartelet? Ku është shkëlqimi këtu?”, u shpreh kreu i selisë blu mes të tjerash.

Më tej ai analizoi raportin për situatën e drejtësisë në Shqipëri, duke kujtuar edhe vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

“Qytetarët shqiptarë nuk kanë një proces ligjor të drejtë. Dosjet kanë mbetur stok, kolaps total. Vetëm çështjet e qeveritarëve shqyrtohen, jo të qytetarëve. Keni rastin e Llagamit merr 3 mln euro me një proces brenda 2-3 viteve. U vra gjyqtari atje, në sallën e gjyqit. Vendi është shndërruar në arenën kryesore të ndërtimeve me miliarda e miliarda të karteleve. Është shndërruar në vendin e krimit të organizuar”, tha kryetari i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë