Nga Gazeta ‘Si’- Një ditë më parë deputeti demokrat, Dashnor Sula nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputet të PD.
Fill pas kësaj, në mesnatë ai mori vendimin për t’u larguar nga Sali Berisha dhe u bashkua me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Sula falenderon Adriatik Lapaj, Endri Shabani dhe Pano Soko të cilët e ftuan në koalicionin e tyre, ndërsa tha se ka pasur edhe oferta të tjera.
Ai u shpreh se SPAK-ist do jetë edhe në parlamentin e ardhshëm, duke risjellë në vëmendje arsyen se pse ai pretendon që Berisha nuk e futi në listë.
“Jam i lumtur t’u njoftoj se demokratët e Elbasanit do t’i përfaqësoj në Parlamentin e ardhshëm nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Unë i falenderoj dhe shpreh mirënjohje edhe për drejtuesit e forcave te tjera politike që për etikë nuk po i përmend që më ftuan të bashkohesha në ekipin e tyre pas medalies që më dhanë si “SPAKIST””, shkruan Sula.
Në fund, ai rithekson se largimi nga PD, nuk ishte zgjedhja e tij.
“I kam dhënë asaj partie 20 vite të jetës sime politike, pa i kërkuar asnjë ofiq në kohën kur ishte në pushtet.
Kam sakrifikuar kohën time, i kam hyrë në hak familjes sime dhe fëmijëve të mi, për të punuar cdo ditë për PD-në, por nuk mund të lejoja që kontributi im të hidhej në koshin e plehrave vetëm se kam shprehur mbështetjen time të palëkundur për institucionet e reformës në Drejtësi.
Po e them që tani, SPAK-ist do të jem edhe në Parlamentin e ardhshëm sepse besoj që po i bën vendit një shërbim që kjo klasë politike nuk ka arritur tia bëjë në 35 vite”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.