Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar sërish sot ndaj akuzave të kreut të PD Sali Berishës i cili e quajti dje një ‘kriminel elektoral në Kukës’.
Majko njoftoi sot se ka bërë një hap konkret duke takuar kryetaren e Kuvendit dhe shkruan se i kërkoi Spiropalit që t’i drejtohet Shërbimit Informativ Kombëtar për informacion me shkrim, “lidhur me aludimet për fshehje informacioni të deklaruar dje në publik nga Sali Berisha”.
Ai tha se ka vendosur që të dorëzojë çdo imunitet parlamentar i cili mund të jenë i nevojshëm për hetimin e çështjes së ngritur për emrin e tij në deklarimet publike të Berishës.
Një ditë më herët, Berisha pasi Majko me ndryshimet e fundit politike në PS erdhi si drejtues qarku i Tiranës, deklaroi se sipas tij, ky u fundit u përgjua nga SHISH duke bërë pazare me kriminelët.
“Pandeli Majko, është kriminel i madh elektoral në Kukës. Është i regjistruar në tavolinë, regjistrues i vendosur me vendim gjykate, jo për Pandeli Majkon për trafikantë armësh e droge. Aty shkon dhe bie Pandeli, dosja është tek ata dhe tek unë. Shkon Pandeliu me Çelën, dhe drejtorin e OSSH të Kukësit. I thotë ‘ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale, ato kushtonin nja 40-60 mijë euro, por do të faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 mijë do ti dërgohen Tropojës për vota, 200 në Durrës, të tjerat në Kukës. Oficeri që ishte në detyrë për të hedhur në qark trafikantët habite”, deklaroi Berisha.
Në një replikë në Facebook, Majko iu përgjigj edhe ditën e djeshme duke deklaruar se fakti që ai e fyen, do të thotë që ai ka bërë gjënë e duhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.