Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndërsa pretendoi se Policia e Shtetit dhe administrata është e mbushur me të inkriminuar, tha se nëse vjen në qeveri do t’i largojë të gjithë ata.
Berisha tha se do të ketë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe beteja do të nisë nga “krimi qeveritar”. Kjo, sepse sipas tij, ministrat janë bërë mburojë për kriminelët dhe u kanë vënë atyre në dispozicion pushtetin.
Kryedemokrati shtoi më tej se do të zbardhen dhe do të bëhen publike dosjet me 1 milion faqe “të bisedave telefonike që dëshmojnë lidhjet e tmerrshme të krimit me politikën”.
“E vërteta është se sot në krye të Policisë së Shtetit është një bashkëpunëtor i bandave, një i emëruar i tyre. Rendi dhe siguria në Shqipëri janë absolutisht në duart e krimit.
Krimi urdhëron emërimin e drejtorëve, shkarkimin e tyre. Në të vërtetë, kurrë ndonjëherë në Europë nuk ka pasur një regjim sipërmarrje e përbashkët mes pushtetit dhe krimit siç është kjo në Shqipëri”, shtoi Berisha.
Kreu i PD-së u bëri thirrje të gjithë punonjësve të Shërbimit Informativ që “të distancohen nga çdo veprim dhe inkriminim, nga çdo politizim në interesin më të mirë të tyre dhe të vendit të tyre.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




