Politike

Berisha: Dosjen ndaj Veliajt në SPAK e ka përgatitur Rama. Nesti Angoni është vetë Edi Rama

Nga Gazeta ‘Si’– Në konferencën e sotme për media, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa foli për shkelje të rënda të ligjit dhe korrupsion në nivele të larta, u ndal edhe tek akuzat e SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Berisha u shpreh se dosjen ndaj Veliajt në SPAK e ka përgatitur kryeministri Edi Rama.

‘Nesti Angoni është vetë Edi Rama’, tha Berisha, referuar qytetarit me emrin Nesti, i cili sipas Veliajt, është ai që e ka denoncuar në SPAK.

“Kush është ai që mund të çojë dosjen me të dhëna TIMS, me regjistrime, me fatura hotelesh, udhëtimesh fabuloze, një avion fantazëm i 2004-2011-2014  me të cilin ka udhëtuar Veliaj? Këto nuk mund t’i çojë asnjeri tjetër në Shqipëri, përveç Edi Ramës.

Nesti është Edi Rama. Ju garantoj se nga të dhënat që kam unë nga ajo dosje, ajo mund të përpilohet jo nga 1, por nga disa institucione shtetërore së bashku dhe këtë fuqi e ka vetëm kryeministri dhe askush tjetër, asnjë njeri tjetër”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë sot, një ditë pasi Veliaj u mor në pyetje për 5 orë, SPAK njoftoi se ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur çështjen e korrupsionit ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Dyshimet e SPAK janë për veprat penale:

 “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,

 “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, 

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe 

“Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë