Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD deklaroi se kanë përgatitur një ligj që do ta dorëzojë në Kuvend ditën e sotme, sipas të cilit njihen vetëm dy gjini, mashkull dhe femër.
Berisha tha gjithashtu se kanë përgatitur ligjin me dënim për atë që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2.
“Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje.
Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione. Këto janë vetëm fillimet, këta e kanë shtrirë në shkolla, e kanë shtrirë në falsifikimin e historisë, woke është bërë një rrymë e veçantë jo vetëm në media, por është degëzuar në shumë drejtime.
Lufta me kulturën woke do jetë një betejë pa kompromis e jona. Është beteja për të vërtetën. Ne nuk kërkojmë asnjë deformim”, tha Berisha.
“Desorosizimi i Shqipërisë do jetë një objektiv madhor”
Ai tha se ky ligj është përgatitur në ‘kuadër të desorosizimit të Shqipërisë’ dhe tha se PD do të ndërmarrë dhe akte e ligje të tjera.
“Është fakt i pamohueshëm se në botë, kopshti eksperimental i Xhorxh Sorosit u bë Shqipëria. PD nuk është një parti e ekstremit të majtë, por është një parti që i qëndroi fuqishëm.
Ndaj dhe ajo merr përsipër para shqiptarëve me akte dhe ligje të desorosizojë Shqipërinë. Unë i bëra thirrje Aleksis Soros të mbyllë fondacionin në Shqipëri, sepse i jap fjalën, që javën e parë pas 11 majit do të mbyllet me dekret ligj që të mos shkelë më në Shqipëri.
Ky fondacion i ka bërë të këqija të mëdha Shqipërisë. Është bërë mbështetës i ekstremit të majtë në Shqipëri dhe i kulturës uoke të shkatërrimit të familjes dhe identitetit gjinor.
Ndaj dhe në detyrimin tonë si forcë politike është përgatitje e të gjitha akteve dhe ligjeve që sjellin desorosofikimin e Shqipërisë.
Nuk ka një vend të dytë në Europë dhe botë që pësoi pasojat e superspekulantit, supercensorit. Xi Jinping dhe Vladimir Putin ushtrojnë censurë në vendet e tyre, kurse Xhorxh Soros me doktrinën e tij në mbarë botën”, tha Berisha ndërsa shtoi se desorosizimi i Shqipërisë do jetë një objektiv madhor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




