Politike

Berisha: Do jem lider referendar, procesi për Presidentin i diskretituar, Alibeaj sillet si ministër i Ramës  

Ish-kryeministri Sali Berisha u bezdis nga pyetja drejtuar tij në një konferencën për shtyp në selinë e PD-së nëse e shqetësonte fakti se përballë tij nuk do të jetë asnjë kandidat për garën e kryetarit.

Berisha e quajti pyetje pa sens, pasi, sipas tij, vetëm Edi Rama në anën tjetër shpik kandidatë rivale “fals”,  

“Do të kandidoj dhe i kam plotësuar dokumentet, do t’i tregoj shqiptarëve se kandidoj si dëshmi e respektit, e dashurisë, e pasionit tim për të ndryshuar për mirë jetën e tyre.

Nuk mundet të pajtohem unë kurrë me këtë situatë në të cilën shqiptarët janë shndërruar në një kohë që lindin fëmijë për emigracion.

Kësaj situate do t’i jap fund sa më shpejt…”, tha Berisha.

Ai nënvizoi se do të jetë një lider referendar i zgjedhur me referendum popullor.

“Nuk ka garë më të fuqishme se kjo”, këmbënguli ai

‘Nëse të tjerë nuk marrjn përsipër të kandidojnë për arsyet e tyre, nuk jam unë Edi Rama që shpik rival, ajo është ‘fake’ (false) është antidemokratike.  Kush të dojë urdhëro.  Ka një komision që përcakton çdo rregull. Nuk duan? Atëherë mbetet referendumi dhe unë me datën 22 maj nëse zgjidhem, zgjidhem me një referendum të mbarë demokratëve.

Nëse nuk zgjidhem i nënshtrohem plotësisht verdiktit të tyre po referendar

Nuk ishte kjo kërkesa ime, por natyrisht një zgjidhje referendare më nderon shumë”, tha Berisha.

Ai u pyet edhe mbi takimin që Enkelejd Alibeaj beri një ditë më parë me një grup deputetësh dhe e cilësoi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, një proces të diskretituar.     

“Gjithçka zhvillohet në atë proces deri më sot është bërë e qartë se është manipulim i pastër i Edi Ramës nga zarfat sekrete si në shpellat e Cosa Nostrës tek paraqitja si kandidaturë të bashkëshortes, tek angazhimi dhe loja me kukulla dhe opozitës së emëruar.

I gjithë ky është një skenar i turpshëm dinjitoz vetëm për kreun e organizatës kriminale të qeverisë shqiptare.  

Ky është procesi më i diskritituar që mund të zhvillohet dhe bëhet ndonjëherë. Këshilli Kombëtar është organi më i rëndësishëm i PD.

Ai mblidhet sot për të përcaktuar qëndrimin e PD ndaj këtij procesi dhe për të marrë vendimin politik. Natyrisht parimet janë të qarta. Edi Rama nuk mundet dhe do të haset me opozitën e vërtetë.

Kjo është ajo cka unë mund të them. Eshtë e kotë të komentoj për emrin që shqiptove (Alibeajn) në një kohë kur nuk bën gjë tjetër veçse sillet si ministër i Edi Ramës…”, tha Berisha i cili u pyet edhe për deputetët e rikthyer, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi për të cilët tha se ata kanë bërë opozitë të vërtetë gjatë kohës kur ishin në Kuvend.

Ai akuzoi Bashën si njeri të dështuar në marrëveshjet me Ramën dhe tha se opozita duhet të kishte protestuar për zgjedhjet e 25 Prillit ashtu siç ndodhi në 2001 kur opozita e asaj kohe ndryshoi qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar për zgjedhjet.

Berisha kërkoi gjithashtu gjatë konferencës dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe thirri një protestë paqësore pas vdekjes së dyshimtë në komisariatin e Kavajës të Ilvi Metës.        

“Një i ri, 28 vjeç, Ilvi Meta, humbi jetën në rrethana misterioze në qelitë e zeza të narko-komisariatit të Kavajës. Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje këtë tragjedi njerëzore. Hyrja në qelitë e komisariatit presupozon se nuk ka vend më të sigurt për jetën e tij.

…Autopsia tregon se kishte një lak, shenjën e një laku rreth qafës, çka flet përvarje. Vetëvarje apo e vari xhelati, këtë nuk e di. Nuk mund të akuzoj apo të konfirmoj se vari veten. Por Ilvi, sipas dëshmive të shokëve dhe miqve të tij, ishte një djalë i hedhur, pa asnjë lloj shenje të problemit më të vogël psikologjik apo psikik.

Ai u arrestua me një provë absolutisht të paqëndrueshme. Gjurmët e gishtërinjve të tij u gjetën në derën e një lokali ku ai pinte kafe rregullisht. Ai u akuzua sikur ka marrë derën, por nuk po merrem me veprën penale, edhe pse ajo bën një vepër minore. Por do denoncoj para jush faktin se qelitë e sotme në komisariatet e policisë janë shndërruar në biruca të zeza si qelitë e Sigurimit të Shtetit.

Nuk ka vend në Europë, nuk ka vend të lirë në botë, që në një hark kohor 5-javor, të regjistrojë vdekjen e dy të rinjve në komisariatet e policisë; Arben Mici në Kamëz dhe Ilvi Meta në Kavajë. Nuk ka ndodhur kurrë në 30 vite. Nuk ka ndodhur edhe në kohën e hetuesive më të rrepta.

A u ushtrua një dhunë dhe terror i madh psikologjik ndaj Ilvi Metës nëse ai vendosi të vetëvarej jashtë çdo dyshimi? Kavaja vuan nga një rrjet grabitësish që kanë krijuar shqetësim të madh, por kjo nuk do të thotë të vriten njerëzit në qeli. kurrën e kurrës. A e vari atë dikush me kordonin e kapuçit? Nuk përjashtohet në mënyrë absolute. Por ajo që është po kaq e shëmtuar dhe kriminale është heshtja çnjerëzore dhe cinike e organeve shtetërore para këtyre akteve, të cilat mirëfilltasi përbëjnë vrasje shtetërore,” tha Berisha.

“Ministri i familjes, që në vend të merret me zbatimin e ligjit, është gardian i interesave të klanit kriminal Rama, drejtori i policisë heshti sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është edhe më kriminale,” vijoi ai.

“Duke dënuar këtë qëndrim çnjerëzor të Edi Ramës, ministrit të tij familjar Çuçit, drejtorit të përgjithshëm të policisë Nano, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Çcuçit. Ndërkohë do i propozoj Komisionit të Rithemelimit që nesër në orën 8 para të gjitha komisariateve të ndizen qirinj në një protestë paqësore: Stop vrasjeve në komisariate”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë