Nga Gazeta ‘Si’ - Në një kohë që nota mesatare e nxënësve që mbarojnë gjimnazin për të vazhduar studimet e larta në universitet është e ulët, kreu i Partisë Demokratike ka premtuar heqjen e mesatares për pranimin në universitete.
Teksa e cilësoi çështjen e arsimit si më prioritaren për një komb, Berisha premtoi minimun jetik prej 200 eurosh për të gjithë studentët.
“Po të shkosh të marrësh të gjithë gjimnazet periferike, e kanë nën 6.5 mesataren. E privon arsimin nga njëri nga funksionet bazë që është edhe lufta kundër varfërisë. E privon nga funksioni, midis të tjerash. Ndaj këto kohë që kanë mbetur, le të jenë kohë beteje për të vërtetat që ne besojmë.
Betejë për t’u dhënë shqiptarëve sistemin arsimor më cilësor të mundshëm në kushtet e këtij vendi. E njëjta gjë për shëndetësinë, por sot jemi te arsimi. Ndaj dhe i ftoj edhe gjimnazistët, të mos harrojnë se në vitin e ri universitar, pa mesataren e partisë. Të hapura dyert! Dhe jo vetëm kaq, po minimumi jetik do aplikohet për çdo student, 200 euro", deklaroi Berisha ndërsa shtoi sërish se do futin në përdorim 'kartën e konsumatorit'.
Kreu i PD-së gjithashtu u zotua para pedagogëve se programin e arsimit të lartë, do e hartojnë vetë ata.
“…Ndaj dhe, duke u garantuar ju se programin e arsimit të lartë, do e hartoni ju me ekspertizën më të mirë, dhe se qeveria e PD do bëjë gjithçka për zbatimin e saj, rikthimin e universiteteve në qendra të fuqishme kërkimore dhe shkencore, heqjen e diskriminimit, ndëshkimit në pranimet universitare me të ashtuquajturën mesatare”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.