Nga Gazeta ‘Si’- Në një bashkëbisedim me qytetarët këtë pasdite, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim, ku kritikoi ashpër qeverisjen e Partisë Socialiste, duke e akuzuar për korrupsion, sundim të patronazhistëve dhe pengim të rotacionit demokratik.
“Opozita ka mbijetuar furtuna dhe kurrë nuk është zhdukur. U ngritëm më të fortë, sepse qëndruam më të fortë me shqiptarët”, tha Berisha, duke përmendur sfidat që sipas tij ka kaluar PD-ja gjatë viteve të fundit. Ai shtoi se gjatë periudhave kur Partia Demokratike ka qenë në pushtet janë marrë vendime të vështira, por sipas tij gjithmonë në shërbim të një ideali.
“Ne kemi marrë vendime të dhimbshme, që i kemi marrë në emër të një ideali. Kur morëm pushtetin transformuam vendin në mënyrë të jashtëzakonshme”.
Megjithatë, sipas Berishës, korrupsioni i madh i qeverisë aktuale nuk ka nxitur reagimin e duhur qytetar.
“Nuk kemi arritur që korrupsioni i madh në qeveri të krijojë reagimin e duhur qytetar. Ky është një defekt i yni. Duhet të mos lodhemi ta shpjegojmë këtë”.
Berisha theksoi se gjatë mandatit të tij kishte korrupsion, por gjithashtu edhe një luftë të madhe kundër keq-qeverisjes. Ai shtoi se tani korrupsioni ka kapur majat.
“Edhe gjatë qeverisjes sonë kishte korrupsion, por kishte luftë të madhe kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, ne ishim parti e taksave të ulëta. Dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet, ndërtuam rrugë, shkolla, kopshte”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Partia Socialiste ka lindur nga krimi dhe tani qeveris si një parti e lidhur me interesat kriminale.
“PS ka lindur në krim, në pushtet është partia e krimit, ajo ka mbijetuar në shtypjen më të egër të shqiptarëve. Partia Socialiste po vjedh dhe po shkatërron kombin shqiptar”.
Ai komentoi gjithashtu mënyrën sesi funksionon sistemi i patronazhistëve.
“Patronazhistët kudo mbillnin terror dhe votohej automatikisht për kandidatin që nuk duhej, sot jemi në diktaturë, që pranon pluralizmin”.
Në lidhje me procesin zgjedhor, Berisha tha se sipas tij Rama ka shndërruar zgjedhjet në një fares.
Ai akuzoi krimin e organizuar për pengimin e rotacionit të pushtetit dhe për ndikim në zgjedhje.
“Zgjedhjet në Shqipëri janë si monizëm, ku partia-shtet është e favorizuar qartësisht. Krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit. Kartelet e drogës kanë rol të madh në vjedhjen e zgjedhjeve. Ne mbrojmë të vërtetat”.
Berisha deklaroi gjithashtu se e di fare mirë se opozitarët janë të lodhur, duke shtuar se misioni i PD-së është në kilometrin e fundit.
“Edi Rama nuk ka fituar zgjedhjet as në 2021 dhe as në 2025. Votat janë vjedhur. Një qeveri që vjedh votat e qytetarët, ajo meriton hu dhe vetëm hu. Farsa zgjedhore dhe vjedhja e qytetarëve heq çdo legjitimitet të kësaj qeverie”, tha kreu demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



