Politike

Berisha: Dhuna nuk sjell objektivat që do, por qëndresa po. Rama duhet të ikë

Kryetari i PD-së, Sali Berisha mblodhi kryesinë e PD-së për të përcjellë disa porosi. Berisha tha se Rama mund të largohet vetëm me revolucion, porse fati i kësaj lëvizje faret vetëm nga kontaktet me njerëzit. Berisha nënvizoi gjithashtu se dhuna nuk mund të jetë qëllimi por qëndresa po.  

 “Fati i këtij revolucioni varet nga komunikimi ynë intensiv me qytetarët. Jo nga komunikimi nëpërmjet ekraneve. Ekrani është i akullt. Do të përdorim ekranet, por kontaktet direkte janë rruga absolute e suksesit të revolucionit.

Për ne ishte një ndihmë e jashtëzakonshme arrestimi i McGonigal me akuzat dhe qartësimin se ai komplotoi kundër pluralizmit në Shqipëri. Por, siç e thoshte Uashington Examiner, zyrtarë, në shumës, jo për njëjës, askush nuk duhet të ketë iluzione se McGonigal ishte person i izoluar.

Dhe në këtë periudhë, ua them këtu, ata që vazhduan veprën e McGonigal, me non-grata, me sulmet e paimagjinueshme ndaj PD, një forcë politike që përpiqej të mbronte vlerat perëndimore në këtë vend, po përpiqej të mbronte shtetin ligjor, po denonconte me gjithë mundësitë e veta. Por ajo nuk duhej të ekzistonte për këtë mafie të rrezikshme. Duhej të ekzistonte vetëm Edi Rama, i cili ndante para me valixhe dhe ushqente këto shushunja. Dhe që shfrytëzonin pushtetin e vendeve të tyre kundër opozitës shqiptare në një rast unik…”, tha Berisha

Ai e konsideroi jetike dialogun me çdo qytetar.

“E konsideroj jetik këtë dialog, shtëpi më shtëpi, derë më derë, me çdo qytetar, pavarësisht bindjeve të tij politike. Sot është koha që ne të bëjmë gjithçka për një komunikim direkt me qytetarët.

Ju e shihni, gazeta më e madhe në SHBA, Uashington Post, ose ndër më të mëdhatë, thotë që Edi Rama është i zhytur deri në fyt në afera sekrete me McGonigal. Ju e dëgjuat gazetarin e BILD nga Nju Jorku, deklaroi haptas se dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë por edhe hetimi i kërkimit të gazetarëve faktojnë se McGonigal u mor me Sali Berishën.

Tani themi prap. McGonigal është në burg, ky rri kryeministër këtu. S’mund ta pranojmë ne këtë.

Ndaj dhe duhet të vazhdojmë me persistencë absolute këtë revolucion. Në mënyrë kreative. Unë e di që çdo ditë do dëgjoni njerëz dhe qytetarë që ju thonë se pa dhunë, nuk përmbyset, nuk arrihet. Unë u them atyre, dhe ju do t’u thoni, se qëndresa është forcë. Dhuna nuk të sjell në objektivat që kërkon.

Ne jemi në hapat më fillestare të mosbindjes civile, të shfrytëzimit të potencialit të jashtëzakonshëm që ka mosbindja civile. Nuk shkojmë te forca. Sepse të shkosh te forca, do të thotë të synosh të marrësh pushtetin me forcë. Që në këtë moment, kjo forcë asgjëson veten. Nuk jemi ne parti e pushtetit me forcë, jo!

Por përdorim çdo formë të mosbindjes civile…”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë