Drejtësia

Berisha dhe Malltezi qëndrojnë në arrest shtëpie, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e tyre

Gjykata e Lartë hedh poshtë kërkesën e Sali Berishës dhe Jamarbër  Malltezit për zëvendësim dhe revokim të masës së sigurisë, ‘arrest shtëpie’

Raportohet se Gjykata e Lartë ka refuzuar rekurset për të dyja çështjet. Kërkesa e tyre u hodh poshtë nga trupa e gjykimit e përbërë nga Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj. Më herët, Berisha dhe Malltezi kishin kërkuar gjithashtu përjashtimin e kësaj trupe gjykuese, kërkesë e cila u rrëzua më datë 10 të këtij muaji.

Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie qysh prej dhjetorit të vitit të kaluar. Ai akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.

Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë