Politike

Berisha: Degradimi i shtetit sot është më i rëndë se në diktaturë

Nga Gazeta ‘Si’- “Ose qeveri teknike, ose përballje”.

Është kjo thirrja që ka lëshuar mbrëmjen e sotme kreu i  Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë foltores me qytetarët e njësisë 7 në kryeqytet.

“Ne tani jemi në fushë. Ne tani jemi në shesh. Ne tani kemi një armik përpara, i cili me qëndrimet e tij nuk krijon zgjedhje. Të krijojmë një qeveri teknike, të shkojmë drejt zgjedhjeve, se përndryshe ne këtë qeveri nuk mund ta pranojmë kurrë.  Por kjo është vetëm njëra anë dhe kjo është kryesorja, jua them unë ju. Kjo është kryesore. Ana e dytë, po kaq e rëndësishme, po kaq kryesore, është plaçkitja e qytetarëve. Ndaj dhe janë këto dy arsye më madhore të cilët ne si forcë politike kemi mision, kemi mision historik, më të vështirin”, u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi kryeministrin se ka humbur çdo legjitimitet dhe se mandatet e fituara në atë që e cilësoi si farsë elektorale po përdoren sipas tij si mburojë për krimin dhe plaçkitjen e qytetarëve.

“Çdo qeveri që vjedh qytetarët, humbet legjitimitetin. Le të ketë dalë nga zgjedhje të lira, të ndershme dhe të shkëlqyera, ajo po vodhi qytetarët, humbet legjitimitetin. Sepse ka përdorur pushtetin për të vjedhur qytetarët”.

Berisha u ndal te denoncimet e opozitës për korrupsion dhe afera financiare, duke përmendur një zinxhir abuzimesh që sipas tij arrijnë në minimumi 12 miliardë euro. Ai akuzoi qeverinë për përdorimin e imunitetit parlamentar për të mbrojtur zyrtarë të lartë nga drejtësia.

“Ne si parti Demokratike kemi denoncuar të gjitha dhe kjo që këto afera që kanë dalë tani. Dhe ku jemi? Tani ato mandatet e krimit, ato mandatet e marra me Elvis Doçin, me Çelën, me Troplinët, ato mandate të marra duke falur 2 miliardë gjoba, tani kthehen në mbrojë për krimin, në parzmore dhe mbrojnë Belinda Ballukun, faktikisht Edi Ramën. Dhe thotë, për herë të parë, për herë të parë, jo thotë, nuk ja heq imunitetin”, theksoi kreu demokrat.

Sipas Berishës, zgjedhjet në Shqipëri janë shndërruar në farsë që nga viti 2017, ndërsa “Libri i Zi i Zgjedhjeve” ka damkosur qeverinë në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi se me Edi Ramën sipas tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe se opozita ka mision historik rikthimin e votës së lirë.

“Ai bëri zgjedhjen e tij. Bëri zgjedhjen e tij. Dhe me ’21-shin përgatiti farsën më të më të madhe në histori, 2025-ën. Farsë zhvilloi në 2023-shin. Por nuk e falëm. Jua them këtu. Ai Libri i Zi, ai Libri i Zi që publikuam dhe bëmë, ai ja nxihu faqen dhe zgjedhjet atij. Dhe në qoftë se zgjedhjet e 25-ës, e majit, u damkosën që ditën e parë, në raportin e parë si asnjëherë tjetër, u damkosën sepse sepse Libri i Zi që ne e quajtëm u faktoi, i faktoi botës se çfarë farse elektorale bën ky armik i lirisë të botës shqiptarëve”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë