Politike

Berisha: Çdo ditë e Ramës në pushtet, rrezik madhor për çdo shqiptar

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit parlamentar, akuzoi qeverinë dhe mazhorancën për skandale dhe afera korruptive.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama është i përfshirë direkt në dy dosjet e SPAK, me Belinda Ballukun dhe AKSHI-n, teksa nënvizoi se ka edhe përfshirje familjare.

Berisha përsëriti akuzat ndaj Ramës, sipas të cilave, ai ka bllokuar procedurën kushtetuese për të hequr imunitetin deputetëve dhe ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë, referuar çështjes së Ballukut.

“Parashikimet tona kanë qenë të drejta. Nuk heq dot ai sepse në dosjen e Lubi Ballukut, në tre rreshta, dy janë për Edi Ramën.

Pra, Balluku nuk pranon në mënyrë kategorike dhe i thotë je ti, dhe unë jam mbrapa. Se e vërteta kështu është. Të themi atë që është. Dhe tani që dosja në tre rreshta, dy i ka për Ramën, ai nuk pranon kurrsesi.

Nuk pranon në asnjë mënyrë ta dërgojë atë në bankën e akuzës. Ka me borxh të mbyllë parlamentit, të shkelmojë Kushtetutën, të krijojë çdo lloj konflikti, por pushtetin nuk e dorëzon”, tha Berisha.

Berisha aludoi se kryeministrin Rama po e tradhton administrata e tij, pasi drejt Zvicrës, aty ku ndodhet Arben Ahmetaj po shkojnë informacione të shumta.

“Po dosjet që paraqiti Arben Ahmetaj. E dini ju që administrata po dërgon në Lugano një fluks të madh informacionesh dokumentesh, kjo e ka tmerruar. Njëherë thotë e kam nga Damiani, njëherë nga Spiropali, paçka se i shkruan tekstet e Elisës. Nga të gjitha këto qytetarët presin nga opozita dhe ne nuk do ti zhgënjejmë. Në kemi caktuar një datë, jemi të betuar, kemi betimin tonë të vazhdimit të betejës deri në largimin e këtij hajduti që kombi nuk e ka regjistruar në histori”, mbylli fjalimin Berisha para deputetëve demokratë.

Ai u ndal edhe te protesta që PD do të mbajë më 24 janar ku tha se do do të ngrënë në këmbë çdo qytetar për të rrëzuar pushtetin e Ramës.

“Kjo është thirrje për çdo qytetar të ndershëm, të fillojmë betejën për largimin sa më parë të tij nga pushteti. PD nuk vjen në pushtet me dhunë, por do të hapë rrugën për votën e lirë të shqiptarëve dhe veprimin e ligjit dhe kushtetutës” tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë