Politike

Berisha: Brenda 16 muajve PD do të godasë të gjitha organizatat kriminale shqiptare dhe rajonale

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me temë “Siguria dhe Rendi”, është zotuar se nëse vjen në pushtet, brenda 16 muajve, qeverisja e PD do të godasë të gjitha organizatat kriminale shqiptare dhe rajonale.

Berisha u shpreh se do të ketë zero tolerancë në lidhjet me krimin.

“Në programin tonë, në rast se do e nisim nga pastrimi i shtëpisë tonë, ne do të kalojmë në luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo luftë synon goditjen dhe çmontimin e të gjitha grupeve dhe organizatave kriminale, vendase, rajonale dhe kudo që ndodhen në një afat kohor 16 mujor. Ne u shpallim luftë atyre dhe i garantoj se nuk do të ketë paqe me ta, deri në vendosjen e tyre para ligjit”, tha Berisha.

Berisha tha se sipas tij Shqipëria ka disa emergjenca sot, por një nga emergjencat e mëdha të saj është gjendja e Policisë së Shtetit.

Ai tha se sipas tij ky institucion është i përbërë nga individë të përfshirë në kultivimin, trafikun e drogave, shpërndarjen e drogave, tregtimin e tyre, ndihmën ndaj trafikantëve.

“Po kështu të gjithë ata punonjës, oficerë, inspektorë policie, që kanë përdorur komunikimet elektronike sekrete me telefona të koduar, Sky Enchro chat apo Matrix, se ky Proda është një Matrix i gjallë do të largohen nga strukturat dhe do të penalizohen.

Zero tolerancë në lidhjet me krimin.

Të gjithë ata persona, anëtarë të Policisë së Shtetit që kanë disponuar informacione për përfshirjen në aktivitete kriminale nga punonjës të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës, të vendit apo të huaj, edhe ata do të largohen nga Policia e Shtetit.

Nëse nuk e pastrojmë shtëpinë tonë, ne nuk do ta gëzojmë atë. Ndaj dhe puna jonë do të fillojë me pastrimin e shtëpisë tonë”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë