Politike

Berisha: Bonusi i fundvitit janë paratë që Rama ua vodhi pensionistëve. Nesër të gjithë para parlamentit në orën 17:00!

Nga Gazeta ‘Si’- I pyetur nga gazetarët në lidhje me premtimet e kryeministrit Edi Rama se do të ju japë dy bonuse pensionistëve, kryedemokrati Sali Berisha tha se, “këto janë para që ai ua ka vjedhur pensionistëve nga muaji mars deri në tetor.”

“Pa diskutim kjo është fytyra e vërtetë e tij, e Edi Ramës. Së pari, bonusi i fundvitit janë paratë që Edi Rama u vodhi pensionistëve nga muaji mars gjer në muajin tetor, të cilët sipas ligjit të parlamentit, që nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri përveç parlamentit, duhet të merrnin shtesën 4 për qind duke nisur nga data 1 mars.

Edi Rama çfarë bëri? Nuk ua dha, i mashtroi, i përçmoi, i përbuzi dhe shumën e krijuar nga marsi në tetor, do ta japë për bonus.

U bëj thirrje shoqatave të pensionistëve, të formulojnë dosjen, të padisin hajdutin në gjykatë, se nuk po u jep bonus, po i mashtron. Ato para ju duhet t’i merrni si 4 për qind e pensionit tuaj, çdo muaj. Por ai nuk ua dha. I pashpirt”, tha Berisha ndërsa u bëri thirrje pensionistëve që nesër t’i bashkohen protestës së PD në orën 17:00 para parlamentit.

“U bëj thirrje pensionistëve nesër të gjithë tek parlamenti, është dita që shqiptarët të dëgjojnë zërin e tyre, është dita që bota të dëgjojë zërin e tyre, është dita në të cilën çdo pensionist shqiptar duhet të tregojë veten siç është, burrë, grua kurajoz, guximtar që nuk lejon të shkelmohet mbi dinjitetin e tij, të përçmohet, të përbuzet nga një bandë që e vjedh ditë për ditë.

Ndaj dhe nesër në ora 5 pasdite, të gjithë para parlamentit për të mbështetur opozitën dhe amendamentet e saj në parlament. Qeveria do bëjë gjithçka, por edhe ne do bëjmë gjithçka që protesta të zhvillohet gjatë kohës që bëhet diskutimi për buxhetin. Opozita do mbahet, nuk ka forcë në botë që ndalon revoltën shpirtërore të qindra mijërave grave.

Edi Rama është i vendosur të bëjë gjithçka për të grabitur një mandat të katërt pasi e di se me krimet që ka kryer i takon të kalbet në burg, të paktën 40-60 vite”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë